18 Prill, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

Shqipëria nis prodhimin e makinave ushtarake të blinduara

Pas prototipit “Shota”, Shqipëria do të prodhojë edhe mjete të tjera të blinduara që do t’i shërbejnë Forcave të Armatosura brenda këtij viti.

“Jemi në disa bashkëpunime me kompani të huaja dhe këtë vit besojmë se do të prodhojmë disa “Shota”. Por nuk do të jetë thjesht një prototip, por një automjet që operon në terren”, tha Arjeta Puca, administratore e TIMAK.

Paqja në botë është e brishtë, ndaj edhe vende të tjera kanë vënë syrin te pajisjet ushtarake që do të prodhohen në Shqipëri.

“Duam të fillojmë me Shqipërinë, por kemi kërkesa të shumta edhe nga Gjermania, Polonia, Ukraina madje edhe Greqia, me të cilat jemi në bisedime dhe besojmë se këtë vit do të kemi produktet e para”, tha Puca.

Në një kohë kur retorika e luftës vazhdon të rritet, Shqipëria planifikon të shpenzojë 122 miliardë lekë për modernizimin dhe 61 miliardë lekë për infrastrukturën ushtarake deri në vitin 2033. Një pjesë e tyre pritet të shkojë për të mbështetur ndërmarrjet private që do të prodhojnë pajisje ushtarake, shkruan A2 CNN.

“Sigurisht që jemi një kompani shumë e madhe, por duke u rritur dhe duke pasur më shumë likuiditet mund të prodhojmë edhe më shumë. Një pjesë e platformës blihet. Kështu funksionojnë kompanitë e tjera. Pjesa tjetër nuk është shumë e vështirë”, tha administratorja e TIMAK.

Si pjesë e marrëveshjes 10-vjeçare për Bashkëpunimin e Sigurisë dhe Mbështetjen Afatgjatë mes Kievit dhe Tiranës, të nënshkruar zyrtarisht nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti Volodymyr Zelensky në Davos të Zvicrës në janar, disa automjete të blinduara do të shkojnë në Ukrainë.

“Ne kemi prodhuar autoambulanca për Ukrainën, jemi në bisedime edhe për “Shotën”, tha Puca.

Mjetet e blinduara që janë në proces prodhimi do të peshojnë rreth 7 tonë. Ata pritet të jenë gati për Forcat e Armatosura deri në fund të vitit.

A2CNN

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *