Mungesa e fuqisë punëtore në vend ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm i ngritur nga bizneset, të cilët janë detyruar të importojnë punonjës nga jashtë. Por si ka rezultuar ky proces?
Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, rezulton se gjatë vitit 2022, janë pajisur me leje dhe vërtetime pune 8,305 shtetas të huaj ose e thënë ndryshe 65% më shumë se viti 2021. Konkretisht, të dhënat tregojnë se janë pajisur me Vërtetime Deklarimi për Punësim 1,894 shtetas të huaj ose 19% më shumë se viti 2021.
E ndarë sipas sektorëve, pjesa më e madhe janë në tregti, me rreth 12 për qind, ndjekur nga ndërtimi dhe industria nxjerrëse, respektivisht me nga 9% si dhe 8 në transport. E ndarë sipas shtetësive, 33 % janë shtetas italianë, 12 % kosovarë dhe 7 % rumunë.
Ndërsa nga ana tjetër, me leje pune janë pajisur 6,411 shtetas të huaj ose 86% më shumë se viti 2021, prej tyre 15% janë dhënë në ndërtim, 22% në industrinë përpunuese, 13% në bujqësi, dhe 10% në akomodim dhe shërbim ushqimor.
Ndërsa sa i takon shtetësisë së tyre, rezulton se 17% janë shtetas turq, 14% nga Bangladeshi, 11% egjiptianë dhe 11% indianë. Këtyre kategorive, bizneset detyrohen që tu sigurojnë edhe akomodimin. Ndërkohë, së fundmi qeveria ka lehtësuar edhe më tej procesin e dhënies së lejeve të punës, me qëllim që bizneset të plotësojnë nevojat e tyre për staf.
Burimi: Scan