27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

Shqipëria kërkon 600 milionë euro borxh në tregjet ndërkombëtare

Shqipëria do të dalë sërish në tregjet ndërkombëtare për të marrë 600 milionë euro borxh përmes emetimit të një eurobondi me afat maturimi 15 vjet. Ministria e Financave ka nisur zyrtarisht procedurat për kontraktimin e një firme ligjore për dhënien e konsulencën për emetimin e eurobondit të shtatë.

Në garën e shpallur thuhet se ky eurobond që pritet të emetohet në muajit e parë të vitit 2025, do të përdoret për të mbuluar nevojat qeverisë, si për financimin e borxhit të kaluar ashtu edhe për shpenzime të tjera e mbështetje buxhetore.

Ministria e Financave, pret që eurobondi i ri që do të emetohet të jetë me afat maturimi nga 5-15 vjet dhe me normë të favorshme interesi, që do t’i shërbente nevojave të vendit.

Duke qenë se pas reduktimit të inflacionit bankat qendrore po lehtësojnë politikat e tyre monetare duke ulur normat bazë të interesit, borxhi mund të merret me një kosto më të ulët se ai i emetuar vjet, por ekspertët gjykojnë se situata në tregjet e huaja ende nuk është e stabilizuar.

Herën e fundit, qeveria shqiptare doli në tregjet ndërkombëtare të financave në vitin 2023. Ministria e Financave kontraktoi 600 milionë euro borxh me interes 5.9 për qind. Por këtë herë vendi del në treg me kushte më të favorshme, jo vetëm për shkak të konjukturave, por edhe për faktin se pak muaj më parë Standard and Poor’s e përmirësoi notën e borxhit të Shqipërisë nga B+ në BB- duke e ngjitur atë një shkallë më lartë.

Sa më e lartë nota e borxhit sovran, aq më shumë besueshmëri paraqet vendi për shlyerjen e tij dhe rrjedhimisht kjo ccon në marrjen e borxhit me interesa më të ulëta.

Nëse emetohet ky do të jetë eurobondi i 7 që vendi ynë do të marrë në tregjet e huaja, pasi deri më tani kemi marrë në tregjet e huaja 6 eurobonde me vlerë 3.2 miliardë euro.

Në 2010 u emetua eurobondi i parë 300 milionë euro me normë interesi 7.5%, në 2015 u mor borxh 450 milionë euro me normë 4.75%.

Më tej në 2018 u morën 500 milionë euro me interes 3.5%, në vitet 2020 dhe 2021 u emetuan eurobondet me nga 650 euro me interesa 3.5% dhe 3.7% dhe i fundit ishte i vitit 2023, me vlerë 600 milionë euro dhe interes 5.9%.

EUROBONDET E MARRA DHE PLANIFIKIMET

Viti          Vlera                Interesi

2010      300 mln €            7.5%

2015      450 mln €            4.75%

2018      500 mln €            3.5%

2020      650 mln €            3.5%

2021      650 mln €            3.75%

2023      600 mln €            5.9%

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *