27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Shqipëria kundër rrymës/ INSTAT: Qeveria dhe bizneset ulën pagat në T1

Paga mesatare u ul me gati 2 për qind në tremujorin e parë e të vitit krahasuar me tremujorin parardhës. Instituti i Statistikave raportoi së ne tremujorin e parë paga mesatare zbriti në 64 mijë e 706 lekë nga 66 mijë lekë që ishte në tremujorin e fundit të vitit 2022. Por në terma vjetorë, krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar paga mesatare është rritur me 9.2 për qind.

Sipas INSTAT paga është ulur si për nëpunësit publikë ashtu dhe për ata që punojnë në sektorin privat. Për të punësuarit në shtet, paga mesatare në tremujorin e parë të këtij viti ra në 73.2 mijë lekë në muaj nga 74.4 mijë lekë që rezultoi për tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Ndërsa për të punësuarit në sektorin privat pagat ranë nga 62.1 mijë lekë në muaj, në 60.9 mijë lekë.

Pjesërisht rënia e pagave në tremujorin e parë është e lidhur me shpërblimet që jepen në fund të vitit. Por pavarësisht efektit të shpërblimeve, të dhënat tregojnë se në tremujorin e parë tendenca e rritjes së përgjithshme të pagave në ekonomi, e nisur tre vjet më parë, është frenuar.

Rritja vjetore

Në terma vjetorë pagat në tremujorin e parë të vitit ishin 9.2 për qind më të larta se tremujori i parë i vitit të kaluar, për shkak të rritjes se ndjeshme të tyre gjatë vitit 2022.

Aktivitetet ekonomike që ofrojnë pagë mesatare mujore bruto, më të lartë se paga  mesatare  në nivel  kombëtar, janë Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit me mbi 119 mijë lekë në muaj, si dhe  Informacioni dhe Komunikacioni me mbi 103 mijë lekë në muaj.  

Ndërkohë paga mesatare bruto për aktivitetin e Bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit, si ndër aktivitetet me page mesatare më të ulët se paga mesatare në nivel kombëtar, ka patur rritjen më të lartë, prej 14,2 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

Paga për të punësuarit e kësaj kategori ka arritur në rreth 44 mijë lekë në muaj nga 38.4 mijë lekë që ishte në fund të tremujorit të parë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *