Gjatë vitit 2024, shqiptarët kanë preferuar që t’i ruajnë kursimet e tyre në depozita me afat, sidomos në ato me maturitet mbi 2 vite. Sipas të dhënave më të fundit nga Banka e Shqipërisë, vlera totale e depozitave me afat ka arritur në 384 miliardë lekë. Normat më të favorshme të interesit për kursimet që ruhen në periudha shumë të gjata, i bëjnë këto lloj depozitash më tërheqëse për qytetarët.
Nga ana tjetër, depozitat me afate mujore vazhdojnë të jenë më pak të pëlqyerat, kjo për arsye të normës më të ulët të interesit dhe shpeshtësisë së rinovimit të kontratave. Rreth 20 miliardë lekë është vlera e depozitave me afat 1 muaj, 5.1 miliardë me afat 3 muaj dhe në 10 miliardë lekë llogariten depozitat me afat gjashtëmujor.
Por, cili prej llojit të depozitave ka pësuar rritjen më të madhe?
Depozitat me afat, konkretisht ato me afat mbi 2 vite, të cilat përbëjnë stokun më të madh në krahasim me të gjitha llojet e tjera, janë ato që kanë pasur edhe rritjen më të lartë gjatë vitit të kaluar. Shifrat flasin për një rritje me 9.4% të depozitave me afat mbi 2 vjet. Ndërkohë, kursimet e ruajtura për një periudhë njëvjecare vijnë të dytat në renditje, me një rritje prej 8.8% dhe një vlerë prej 135 miliardë lekësh. Edhe depozitat pa afat rezultojnë me një rritje të lartë prej 7.5%.
Nga ana tjetër, të gjithë depozitat me afate të shkurtra kanë shënuar një bilanc negativ. Statistikat zyrtare tregojnë për një rënie drastike prej 31.2% të shumës së depozitave me afat 1 muaj, një rënie prej 30.7% të atyre me afat 6 muaj dhe 29.4% rënie për depozitat me afat 3 muaj.
Scan TV