Një dizajnere amerikanë është “nomadja dixhitale” e parë që zbarkoi në Ollolai, një qytet me 1200 banorë në zemër të Sardenjës. Pak kohë më parë bashkia e këtij qyteti lançoi projektin “Work from Ollolai/Traballa dae Ollolai”, për të luftuar shpopullimin.
Projekti i administratës bashkiake inkurajon ardhjet duke ofruar një shtëpi me çmimin simbolik 1 euro në muaj, në vazhdën e një ideje që bashkia filloi disa vite më parë: me 1 euro në Ollolai mund të blesh një shtëpi të pabanuar, me kusht që të investosh për ristrukturimin dhe të banosh në të, duke rritur kështu popullsinë dhe ekonominë e qytetit.
Qëllimi është të zhvillohet një rrjet rezidencash ndërkombëtare për profesionistët që do të jetojnë dhe punojnë në vendin e Sardenjës falë “smart working.”
Clarese Partis, 39 vjeç, dizajnere e agjencisë User Experience, vjen nga Kalifornia dhe iu përgjigj thirrjes së bashku me 1112 kandidatë të tjerë, duke plotësuar kërkesën brenda portalit të dedikuar.
“Qëllimi im – thotë Clarese Partis, e cila ka dy vjet që punon nga distanca si nomade dixhitale – është të bëj punën time kudo duke përdorur internetin dhe teknologjitë e reja. Kur lindi mundësia për t’u zhvendosur për në Ollolai, u emocionova dhe erdha për të shijuar një natyrë të re, male dhe ajër të pastër.
Kam disa ditë që jam këtu dhe do të qëndroj një muaj, por duhet të them që të jetosh këtu është më mirë nga sa prisja dhe pritja ka qenë shumë e ngrohtë. Ka kaq shumë për të eksploruar në Sardenjë dhe jam i lumtur të zhytem në brendësi të ishullit dhe kulturës së tij”.
Bum kërkesash
Projekti lindi nga një ide e kryebashkiakut Francesco Columbu, duke zhvilluar fillimisht një rrjet me Amerikën, por më pas duke e shtrirë në të gjithë botën.
Në majin e kaluar, lançimi i propozimit u publikua në mediat ndërkombëtare, duke bërë që në zyrat e bashkisë të vërshojë numri i pabesueshëm i mbi një mijë kërkesave për ‘nomadë dixhitalë’.
“Ne do të mirëpresim të gjithë ata që duan të vijnë krahëhapur, natyrisht në bazë të akomodimit që kemi në dispozicion, dhe të njëjtën gjë bëjmë edhe sot për Clarese- shpjegon kryebashkiaku – Prezenca e tyre do të rigjallërojë qytetin që ofron natyrën, qetësinë, ushqim të shëndetshëm, tradita dhe një komunitet mikpritës.
Dua t’ju kujtoj gjithashtu se ne jemi një nga pesë Zonat Blu në botë, një vend i njëqindvjeçarëve dhe ultra-qindvjeçarëve”