26 Shkurt, 2025
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

Shtrenjtohet vota e diasporës/ KQZ kërkon 9,3 milionë euro shtesë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka kërkuar Kuvendit dhe Ministrisë së Financave fonde shtesë për procesin e votimit të emigrantëve për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 majit. Sipas KQZ, nevojiten 7,5 milionë euro shtesë për mbulimin e shërbimit postar, duke e çuar totalin për këtë zë në 12,5 milionë euro.

Gjithashtu, kërkohen 870 mijë euro shtesë suport për votimin elektronik, 280 mijë euro paga e sigurime per punonjësit e përkohshëm, 263 mije euro për sistemet e teknologjisë së informacionit, etj. KQZ kërkon të punësojë edhe 80 punonjës shtesë për diasporën.

Numri i kërkesave ditore të emigrantëve është rritur me 6 mijë aplikime, ndërsa numri mesatar I zgjedhësve të miratuar në ditë është 3,900. Me këtë ritëm, KQZ parashikon se kur kanë mbetur edhe pak ditë nga 4 marsi që është dita e fundit e regjistrimit, parashikohet një shifër prej 250,000 zgjedhës të miratuar nga diaspora.

Referuar të dhënave zyrtare për regjistrimin e votuesve nga jashtë, deri në mesditën e së martës kishin bërë kërkesë për regjistrim 225,723 zgjedhës, ku 181,298 prej tyre u është miratuar kërkesa.

Sipas KQZ, shtetasve që u është refuzuar kërkesa mund të riaplikojnë pa kufizim deri në datën 4 mars. Aplikacioni ku mund të regjistrohen zgjedhësit jashtë vendit gjendet në forma të ndryshme, duke nisur nga faqja zyrtare e Komisionit të Zgjedhjeve, por edhe mund të shkarkohet si aplikacion në telefon.
Scan TV

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *