21 Shkurt, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

Shtyhet tenderi për koncesionin 1 miliardë euro të Milot Balldrenë

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka vendosur të shtyjë me 10 ditë tenderin për dhënien me koncesion të rrugës Milot Balldrenë. Hapja e ofertave për koncesionin e këtij segmenti ishte parashikuar në datën 17 shkurt, por përmes një vendimi të beftë Ministria e Infrastrukturës në cilësinë e autoritetit kontraktor ka njoftuar shtyrjen e datës së tenderit për në 27 shkurt.

Segmenti Milot Balldrenë është pjesë e të ashtuquajturit Korridori Adriatiko-Jonian ose siç njihet ndryshe Korridori Blu, të cilin qeveria ka vendosur që ta ndërtojë të gjithin me koncesion.

Deri tani qeveria shqiptare ka tenderuar 3 segmente të këtij Korridori. I pari, që është realizuar tashmë është autostrada Thumanë-Kashar, ndërsa dy segmente të tjera nga Kashari deri në Fier janë tenderuar dhe së fundmi janë nënshkruar edhe kontratat. .

Milot-Balldre është segmenti i katërt koncesionar. Ai ka një gjatësi 17 kilometër të gjatë dhe do të kushtojë 182.5 milionë euro vetëm si kosto ndërtimi.

Nëse përfshihen dhe kostot e projektimit, ato të mirëmbajtjes dhe të operimit, investimi i privatit është parashikuar 365 milionë euro për të gjithë periudhën 35 vjeçare të koncesionit.

Tarifa bazë e kalimit në rrugën Milot Balldrenë është caktuar 0.12 euro për kilometër. Kjo do të thotë se për të përshkruar të gjithë rrugën me gjatësi 17 kilometër qytetarët shqiptarë do të paguajnë rreth 2.5 euro për çdo kalim duke përfshirë dhe tatimin mbi vlerën e shtuar.

Sipas planifikimeve të bëra në planin e biznesit, koncesionari privat pritet të arkëtojë rreth 1 miliardë euro nga tarifa e kësaj rrugë për të gjithë periudhën 35 vjeçare të koncesionit.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *