27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

Si u zbulua botox-i kontrabandë nga Turqia dhe Korea/ Mjekja: Ma ka aprovuar OSBE!

Një hetim i nisur 8 muaj më parë ka zbuluar se rreth 30 klinika estetike në Tiranë përdornin tek klientet e tyre, botoks të kontrabanduar dhe në kundërshtim me ligjin që i ka ndaluar përdorimin e këtyre substancave në vendin tonë

Lënda e njohur me emrin e saj shkencor “Botulinum toxin”, i njohur si “Botox”, është një substancë e përpunuar dhe e purifikuar, i cili prej kohësh ka gjetur aplikim në dermatologjinë estetike, sidomos për trajtimin e rrudhave në vendin tonë dhe kudo në botë.

Krimi Ekonomik kishte mësuar se në vendin tonë, substanca që ishin të ndaluara injektoheshin në çdo ambient. Sipas dosjes së siguruar nga Tch, në bisedat e zhvilluara mes agjentëve dhe klinikave, çmimet variojnë 100 euro për 0.5 ml.

Biseda me klinikën “Glam House”:

Agjentja: Si jeni? Kam lënë takim për botox!

Recepsionitja: Po emri juaj?!

Agjentja: -A.M.

Recepsionitja: Po vetëm një moment të shkoj në dhomë të shoh mos është gati dhe të njoftoj.

Agjentja: Po, ta bëj pagesën?

Recepsionistja-Pastaj s’ka problem. Do bësh full botox-in?

Agjentja- Po për atë.

Recepsionistja-Dhoma është gati vazhdojmë. Do një kafe përpara se të fillojmë?

Agjentja: Jo, mund të pres atje derisa të vijnë.

Recepsionistja: Besoj se doktoresha do vi tani direkt. Prandaj si te duash ulu ku të beheni me mire. Vjen doktoresha Iva Risto….-

Doktoresha: Pershëndetje!

Agjentja: Pershendetje!

Doktoresha I.R: Une jam doktoresha, me thuaj.

Agjentja: Kam lënë takim për pjesën full Botox. Dmth te pjesa ballit, te syte shumë pak.

Doktoresha I.R: E ke bëre ndonjehere apo jo?

Agjentja: Jo eshte hera parë dhe të konsultohem njeherë…

Biseda e regjistruar në “Deas Aestetic Clinics”.

Agjentja: Kam lënë orar, në orën 11:00.

Recepsionistja-Doktoresha është rrugës po vjen. Keni bërë here tjeter botox?

Agjentja: Jo është hera e parë.

Recepsionistja: Si fillim e nisin me baby botox, po varet nga mosha.

Agjentja: Nga ndryshon ky baby nga të tjerat?

Recepsionistja-Është doze më e lehtë se full botox.

Agjentja: A ka ndonje specializim doktoresha?

Recepsionistja: Është stomatologe si mjeke, por ka bërë trajnime pafund për pjesën që punon, ka katër vite që punon.

*vjen doktoresha (tashmë e arrestuar) Deisa Shehaj

Doktoresha: Se kjo është idea t’a nisësh që tek rrudhat e para, që kur të kalosh nje farë moshe mos te kalosh në kirurgi, thjesht t’a mirëmbash me botox.

Agjentja: Ehe.

Doktoresha: Botox dy herë ne vit ose nje herë në vit. Për me tepër unë nuk e rekomandoj. Ka plot klininka që të marrin pas tre muajve. Herën e parë nuk të mban shumë 6 muaj, 5 muaj.

Kështu agjentja ka shkuar edhe në klinikat e tjera. Ja çfarë i ka ndodhur? 

Në klinikën “Begas Klinik”, doktoresha i ka treguar që ajo përdor është “Hemtoks”, duke shpjeguar që jane vetëm tre klinika që e përdorin këtë lloj marke dhe ka një kosto goxha të lartë.

Në klinikën “Allure Beauty”, doktoresha i ka pohuar që kanë kontroll në klinikë, pasi kanë probleme me regjistrimin e “Botox” sepse ende nuk lejohet futja e këtij produkti në Shqipëri.

Ne klinikën “Medical Hills Seiss Aesthetic Clinic”, i tregon se injekton lëndën që quhet “Botolinjum Intoksine”. Në klinikën “Onxy Dermo Care”, botoxi është i markës “Naboten”, i aprovuar sipas saj nga OSBE (Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë).

Në klinikën “Keit Day Hospital”, botoksi që injektojnë është “Dsiportin”. Pastaj takime janë bërë edhe në klinikat: “Arsi Medical Clinic”, “Better Me Clinic” “Este Medial Group Albania”, Amra Medical Aesthetics”, “La Beaute”, “Bellisera”,etj.

*OSBE-ja është një forum për dialog politik mbi një gamë të gjerë çështjesh të sigurisë dhe një platformë për veprim të përbashkët për të përmirësuar jetën e individëve dhe komuniteteve.

Organizata përdor një qasje gjithëpërfshirëse ndaj sigurisë që përfshin dimensionet politiko-ushtarake, ekonomike dhe mjedisore dhe njerëzore.

Pra nuk ka lidhje me aprovimin e lëndës së botoksit, pasi në fakt është EMA institucioni që është përgjegjëse për vlerësimin dhe miratimin e barnave në të gjithë Bashkimin Evropian.

Por nga vinte botoksi dhe kush e sillte në Shqipëri?

“Furnitori” ishte pronari i Capo-Al, Mildon Kumaraku, i cili tashmë është vendosur në pranga nga Policia e Shtetit.

Herën e fundit që ai ka sjellë lëndë të tilla në Shqipëri ka qenë data 9 tetor, e ka hyrë nga dogana e Hanit të Hotit.

Bashkë me të shoqen, V.Kumaraku shpërndante lëndën e botoxit në Tiranë që e mbanin në termusa, të cilat i mbante në bagazhin e tij të makinës.

Sipas Prokurorisë, Kumaraku bënte 10-12 zhdoganime në muaj dhe brenda doganës në Vorë kishte një magazinë ku edhe mbante produktet që i importonte nga Turqia dhe nga Koreja e Jugut.

Kush i injektonte klientet me botoks të pacertifikuar?

– Doctors Hospital, me objekt veprimtarie ofrimin e shërbimeve mjekësore, ambulatore jopublike, kirurgjike, plastike, etj është një një ndër tregtarët kryesore të shitjes së produktit botoks në Shqipëri.

-Klinika estetike Luar Clinic, është mësuar se injekton pa qenë të specializuar për produktin botoks.

-Senera Hoxha, e identifikuar nga Instagrami me emrin Chimera Clinic, njihet si shitëse e produktit të botoks.

-Kozeta Bakaj, shet botoks, të cilin e blen dhe importon nga Italia. Produktin e shpërndan vetë në klinika të ndryshme, ose nëpërmjet një vajze, e identifikuar në rrjetin social Instagram me emrin “elaa”, e cila prezantohet si menxhere e shitjes së produkteve të klinikës “Cozzy Aesthetics”.

Kështu, në finalizimin e këtij operacioni, 3 persona u vendosën në pranga dhe 3 të tjerë (mes tyre edhe mjeku i njohur Skredi Faria) janë shpallur në kërkim.

Por edhe pse aksioni është finalizuar që 2 ditë më parë, Policia nuk e ka bërë me dije sesa ka qenë sasia totale e botoksit që është sekuestruar.

Gjithashtu duhet theksuar se botoxi kudo në botë nuk është një lëndë e ndaluar për t’u injektuar, por në Shqipëri ende nuk futet në mallrat që lejohet të importohet. Kështu, rrjedhimisht ndalohet që të injektohet.

Por klinikat kanë gjetur mënyrën për të përmbushur kërkesat e klienteve të tyrë. Sesa i sigurtë është produkti që kanë injektuar, kjo gjithashtu nuk dihet.

Boldnews

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *