21 Shkurt, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

Siguria kibernetike: Shqipëria ndër vendet më të cenueshme në Evropë

Siguria kibernetike globale po përballet me një kërcënim në rritje, ndërsa dobësitë e platformave cloud janë shtuar me një ritëm alarmues. Sipas një raporti të fundit nga ekipi X-Force i IBM, numri i dobësive në sistemet cloud në mbarë botën është rritur nga 1,700 në 3,900 vetëm në katër vitet e fundit (2019-2023).

Kjo rritje e dyfishtë tregon se infrastruktura dixhitale globale është gjithnjë e më e ekspozuar ndaj sulmeve kibernetike.

Ballkani – pika më e dobët e sigurisë kibernetike në Evropë

Një tjetër raport nga kompania e sigurisë së cloud-it, Kloudle, ka nxjerrë në pah një realitet shqetësues për Ballkanin, duke identifikuar Bosnje dhe Hercegovinën, Serbinë dhe Shqipërinë si vendet më të cenueshme në kontinent.

Sipas raportit, Bosnja dhe Hercegovina është vendi më i ekspozuar ndaj sulmeve në Evropë, me një rezultat rreziku prej 71%. Në dy dekadat e fundit, vendi ka përjetuar rreth nëntë milionë depërtime të cloud-it, ndërsa ka nivelin më të ulët të gatishmërisë për sigurinë kibernetike. Pas Bosnjës vjen Serbia, me një rezultat rreziku prej 69%, dhe Shqipëria me 67%. Megjithatë, ndryshe nga Bosnja, Serbia dhe Shqipëria tregojnë një nivel më të lartë gatishmërie për të përballuar kërcënimet.

CEO dhe themeluesi i Kloudle, Akash Mahajan, thekson se “dobësitë e ekspozuara në vende si Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia nxjerrin në pah boshllëqet kritike në infrastrukturën e sigurisë kibernetike që kërkojnë vëmendje të menjëhershme”. Ai thekson se është jetike të forcohen masat mbrojtëse përmes edukimit të punonjësve, implementimit të teknologjive të avancuara të enkriptimit dhe kryerjes së auditimeve të rregullta të sigurisë.

Britania dhe Italia – miliarda shkelje të cloud-it

Përveç vendeve ballkanike, raporti thekson se edhe ekonomitë e mëdha evropiane si Mbretëria e Bashkuar dhe Italia po përballen me sfida serioze në mbrojtjen e cloud-it. Britania e Madhe renditet e katërta në Evropë për nga rreziku, pasi ka regjistruar mbi një miliard shkelje të cloud-it në dy dekadat e fundit.

Italia, nga ana tjetër, është një tjetër ekonomi e madhe e prekur rëndë, me rreth 800 milionë shkelje të vlerësuara. Megjithatë, vendi ka një nivel të lartë gatishmërie, duke shënuar 88 pikë nga 100, një tregues se ka ndërmarrë masa serioze për të mbrojtur të dhënat dhe infrastrukturën dixhitale.

/ Euronews

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *