28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Siguria në internet/ Shqipëria, më e pasigurta në rajon.

Individët dhe bizneset po mbështeten gjithmonë e më shumë në teknologjinë e informacionit, por përpos të mirave kjo ka edhe anën negative siç është ekspozimi ndaj kërcënimeve kibernetike që cënojnë sigurinë në internet. Me siguri në internet do të kuptojmë sigurinë për aktivitetet dhe transaksionet që kryhen përmes internetit.

Sipas të dhënave nga Barometri i Ballkanit, bizneset në vendin tonë janë shprehur se problematikat më të shpeshta që kanë hasur në internet lidhen kryesisht me viruset. Shqipëria ka përqindjen më të lartë të bizneseve në vend të cilat kanë hasur këtë problematikë. Konkretisht sipas anketës së zhvilluar rezulton se në Shqipëri janë rreth 32% e bizneseve që janë ndeshur me viruse në sistemin e tyre kompjuterik.

Problematika të tjera që lidhen me pasigurinë në rrjet janë edhe sulmet kibernetike si dhe paraqitja e gabuar e identitetit apo vjedhja e të dhënave. Në shifra konkrete vetëm 1% e bizneseve të anketuara ka hasur probleme me sulmet kibernetike dhe 2% e tyre janë përballur me vjedhje të të dhënave ndërsa, për 64% të bizneseve eksperienca në internet ka qenë e sigurtë dhe pa probleme.

Të njëjtat pasiguri hasen edhe në vendet e Ballkanit ku më i përhapur është rreziku i viruseve. Në një analizë krahasuese mes vendeve të Ballkanit themi se pas Shqipërisë renditen Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi si shtetet më të riskuara në rrjetin e internetit. Konkretisht, 25% e bizneseve në Kosovë dhe 15% e bizneseve në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi janë ndeshur me viruse gjatë përdorimit të internetit.

Nga ana tjetër, Bosnje Hercegovina paraqitet vendi me sigurinë më të lartë kompjuterike, ku 87% e bizneseve të anketuara nuk kanë përjetuar gjatë eksperiencës së tyre probleme që lidhen me sigurinë e të dhënave apo transaksioneve të kryera në internet. Me një diferencë të vogël listës i bashkangjitet edhe Serbia, ku 84% të bizneseve janë shprehur se siguria në internet ka qenë e lartë dhe nuk kanë patur asnjëherë probleme.

Scan TV

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *