31 Mars, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

SKANDALI/ Kompania “diMal” hodhi në tregun shqiptar 13.1 ton fileto pule me salmonelë

Janë zbardhur detaje të reja nga skandali që përfshin Portin e Durrësit dhe Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, ku një sasi e konsiderueshme fileto pule e ngrirë e ardhur nga Brazili, ka rezultuar me salmonelë, teksa një pjesë e saj është hedhur në treg dhe është konsumuar.

Burime për mediat bëjnë me dije se bëhet fjalë për rreth mbi 18 ton në total, ku 13.1 ton fileto pule është hedhur në treg dhe është konsumuar, ndërsa 5.2 ton është bllokuar nga AKU. Sasia ka hyrë në Shqipëri më 11 Mars.

Ndërkohë, AKU, pas publikimit të skandalit, përmes një komunikate të shkurtër për mediat, pranoi faktet, por ndërkohë nuk tregon se cila është kompania që e ka hedhur në treg fileton me salmonelë, duke mos bërë transparencë për konsumatorin.

Burime për mediat bëjnë me dije se kompania, e cila e ka hedhur në treg fileton e pulës me salonelë është AMG FOOD, ose e njohur me emrin tregtar si diMal. Kompani është në administrim dhe në pronësi 100% të shtetasit Mondi Goxha.

Rasti është konstatuar pas proceduarave standarde, ku inspektorët e AKU-së në pikën doganore kanë marrë mostrat e mishit të importuar dhe i kanë dërguar për analizim. Deri në daljen e rezultatit të analizave mishi duhet të qëndronte i bllokuar, por ndërkohë ka ndodhur e kundërta.

Pa pritur rezultatin e analizave, subjekti importues, në këtë rast kompania AMG FOOD, ose e njohur me emrin tregtar si diMal“, është  lejuar ta hedhë të gjithë produktin në treg për shitje.

Përgjigjia e analizave ka dalë me 5 ditë vonesë dhe një pjesë e sasisë është shpërndarë në treg dhe është konsumuar, ku bëhet fjalë për 13.1 ton fileto pule.

Përgjegjësia për këtë skandal shkon direkt tek Ministria e Bujqësisë e drejtuar nga Anila Denaj dhe tek institucioni në varësi të saj, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i drejtuar nga Manush Kullolli.

Të shqetësuar jo për shëndetin e qytetarëve, por për faktin se ky skandal mund të bëhej mediatik, AKU ka trokitur në derën e subjektit që ka importuar mishin, në mënyrë që të tërhiqet nga tregu. “Ora News” raportoi më herët se inspektorët e AKU i kanë kërkuar subjektit importues faturat e  shpërndarjes, por përfaqësuesi i subjektit i ka “treguar muskujt” inspektorëve duke refuzuar t’i vendosë në dispozicion faturat.

Papërgjegjshmëria e institucionit që drejtohet nga Manush Kullolli vijon të rrezikojë jetën e qytetarëve, ndërsa “flirtimet” e biznesmenëve me inspektorët e AKU, bëjnë që këto të fundit të mbyllin sytë para shkeljeve flagrante

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *