22 Shkurt, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

Skandali/ Ku përfundojnë pijet e skaduara dhe mbetjet e kompanisë ‘Cola-Cola?

‘Coca-Cola’ është një nga pijet joalkoolike më të preferuara në botë dhe që nga viti 1994, ajo është bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë ne vendin tonë. Në këto tre dekada, kjo kompani multinacionale është rritur dukë u bërë lider i padiskutueshëm në stilin e jetës shqiptare dhe gjithashtu një kontribuese e rëndësishme në rritjen ekonomike të vendit.

Si rrjedhojë ka qenë edhe kryefjalë e spoteve të rëndësishme publicitare në mediat kryesore, të cilat kanë përçuar te publiku sukseset e saj, si disa muaj më parë përshembull, ku ‘Coca-Cola Bottling Shqipëria’ festoi 30-vjetorin. Por përveç festimeve të 30 vjetorit, viti 2024 nuk rezultoi aq rozë për kompaninë, sepse një raport i KLSH-së, në bazë të auditimit të kryer kompani skandalin e një sërë parregullsive.

Raporti ka treguar në mënyrë të detajuar se në procedurën e asgjësimit të pijeve të skaduara për vitin 2020 mungon procesverbali i rregullt i asgjësimit, pasi ai është nënshkruar vetëm nga inspektorët e AKU-së, duke nxjerrë jashtë loje ato të Mjedisit dhe të Tatimeve, të cilët, sipas ligjit duhet të firmosnin proçesverbalin.

Shqetësim tjetër i ngritur nga KLSH është edhe mungesa e fotove të vendit, ku janë asgjësuar produktet dhe fletëdalja e produkteve të skaduara nga magazina. Elementë tepër të rëndësishëm, mungesa e të cilëve vë në diskutim faktin nëse janë asgjesuar vërtet këto pije të skaduara dhe nëse jo, ku kanë përfunduar?

Mbase për këtë rast nuk do të marrim asnjëherë përgjigje, por ajo që do t’ju shpjegojmë tani është mënyra se si duhet t’i menaxhonte dhe asgjesonte mbetjet e saj kjo kompani. Bazuar në lejen mjedisore të vitit 2015 të kompanisë ‘Coca-Cola’, ky subjekt gjeneron një sërë mbetjesh, duke nisur nga ambalazhet letër, karton, plastikë, e deri te llumrat që dalin nga impianti i trajtimit të ujërave, që kategorizohen me këto kode, e që duhet të asgjesohen jashtë vendndodhjes nga operatorë të licensuar.

Por, këtu bëhet fjalë vetëm për kodet që ‘Coca-Cola’ deklaron se gjeneron sipas lejes mjedisore, të cilat ju a treguam më sipër, por në realitet kompania nuk gjeneron vetëm mbetjet e sipërcituara.

Më datë 15 maj të vitit 2024 ‘Coca-Cola Bottling Shqipëria’ ka kërkuar të asgjesojë dy lloje mbetjesh: karbon aktiv që mban kodin 19 09 04 dhe llumra me kodin 19 02 06, mbetje që nuk pasqyrohen në asnjë faqe të lejes, edhe pse kompania përshkruan në kërkesë se i gjeneron në sasitë: 3 ton karbon një herë në dy vite dhe 24 ton llumra dy herë në muaj.

Mirë që i gjeneron pa leje, në shkelje të rëndë të ligjit, po pyetja më e rëndësishme: ku përfundojnë këto mbetje?

Në një përgjigje të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, mësojmë se asgjesimin e këtyre dy kodeve në Shqipëri e bëjnë vetëm këto subjekte: Alb Tech Plast, Brema, KAKS Shpk, Tirana Bussiness dhe Vlora Alumin, të cilat pas interesimit tonë, shprehen kategorikë se nuk kanë asnjë marrëdhënie kontraktuale asgjesimi mbetjesh me ‘Coca-Cola’-n.

Gjithashtu Ministria e Turizmit dhe Mjedisit sqaron se nuk është paraqitur asnjë kërkesë nga ky subjekt për eksport të mbetjeve gjatë periudhës 2022-2024.

Asnjë gjurmë për asgjësimin, ndërkohë që ‘Coca-Cola Bottling Shqipëria’ vazhdon të gjenerojë mbetje që as nuk i ka në leje dhe as nuk dihet se ku përfundojnë./ Piranjat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *