Janë mbyllur aplikimet për Skemën Kombëtare të Investimeve, ku sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural kanë aplikuar 401 fermerë. Rreth 75% e aplikimeve ishin për mekanikë bujqësore, për blerje makinerish dhe traktorësh.
Aplikimet qëndruan të hapura përgjatë 5 javëve për fermerë apo grupe fermerësh të cilët posedojne një NIPT, për këto kategori u mundësua të përfitojnë nga Skema Kombëtare e investimeve në bujqësi.
Në Skemën Kombëtare 2024 ofrohet mbështetje për tufën bazë të matrikulluar (gjedhë dhe të imta), bletarinë, fermat organike, fara- fidanë dhe inpute të tjera, bimët mjekësore- aromatike, si edhe mbështetje me naftë për punimet e mekanizuara në bujqësi.
Fermerët kanë mundësi që përmes një fondi prej 1.5 miliardë lekësh të përfitojnë financim në formën e një granti prej 50 % të vlerës së investimit.
Synimi i skemës është rritja e prodhimit vendas, jo vetëm në bujqësi e blegtori por edhe peshkim.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, qëllimi i këtyre masave është ulja e kostove për fermerët dhe rritja e rendimentit të prodhimit vendas. Kjo nismë e qeverisë shqiptare, synon zhvillimin e ekonomisë bujqësore dhe modernizimin e kësaj të fundit.
Scan TV