Shqipëria do të aplikojë modelin turk të sigurimeve në bujqësisë. Ministrja e Bujqësisë Anila Denaj, nënshkroi me homologun turk, Ibrahim Yumakli, deklaratën “Mbi bashkëpunimin në fushën e sigurimeve në bujqësi”, duke shënuar një etapë të re në forcimin e marrëdhënieve dypalëshenë këtë fushë.
Deklarata e nënshkruar synon të sjellë një model të ri sigurimesh për bujqësinë shqiptare, të ngjashëm me Fondin e Sigurimeve Bujqësore të Turqisë (TARSIM).
Por çfarë është sistemi TARSIM dhe si funksionon ai?
TARSİM është sistemi i sigurimeve bujqësore në Turqi, krijuar për të mbrojtur fermerët nga rreziqet natyrore dhe katastrofat që mund të dëmtojnë prodhimin e tyre bujqësor. Ai u krijua në vitin 2005 dhe përfshin një kombinim të sigurimeve private dhe mbështetjeve shtetërore.
Disa lloje të sigurimeve në bujqësi janë të detyrueshme, si sigurimi i të korrave, ndërsa të tjerat janë vullnetare, si sigurimi për blegtorinë ose peshkimin.
TARSİM mbulon një gamë të gjerë rreziqesh natyrore si: breshëri, stuhi, përmbytje, tërmete, ngrica, sëmundje dhe dëmtues. Kjo i ndihmon fermerët të mbrojnë investimet e tyre dhe të zvogëlojnë humbjet financiare.
Shteti turk mbështet një pjesë të konsiderueshme të primeve të sigurimit, zakonisht nga 50% deri në 67%, duke e bërë atë më të përballueshme për fermerët, raporton SCANTV.
TARSİM operohet nga një konsorcium i kompanive private të sigurimit, të mbështetura nga qeveria. Këto kompani marrin pjesë në skemën e sigurimeve për bujqësinë përmes një platforme të përbashkët.
Në rast dëmtimi, fermerët aplikojnë për dëmshpërblim përmes agjencive të sigurimeve. Pas vlerësimit të dëmit nga ekspertët, fermerëve u kompensohet humbja brenda një kohe të shkurtër.
Përveç të korrave, fermerët mund të sigurojnë kafshët, peshqit dhe bimët nën ujë kundër sëmundjeve dhe fatkeqësive.
Kjo skemë konsiderohet një instrument i fuqishëm për menaxhimin e rrezikut në sektorin e bujqësisë, duke lehtësuar stabilitetin financiar të fermerëve.
SCAN