4 Korrik, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Skemë sociale me sekuestrimet e SPAK/ Pronat e krimit do të kthehen në kopshte dhe shtëpi për të varfrit

Brenda vitit të ardhshëm pritet të krijohet Zyra për Rikuperimin e Pasurive, e cila do të merret me gjurmimin e pasurive nga krimi i organizuar dhe korrupsioni. Në Agjendën Kombëtare të Reformave 2021-2027, parashikohet që kjo zyrë të veprojë si Njësi Kombëtare Koordinuese dhe pikë kontakti rajonale ose ndërkombëtare, duke kontribuar në përmirësimin e konfiskimeve.

Njëkohësisht, menjëherë pas krijimit të kësaj zyre, Shqipëria do të paraqesë një aplikim për t’u bërë pjesë e Rrjetit Evropian të Zyrave të Rikuperimit të Pasurive ose në platformat rajonale dhe ndërkombëtare të rikuperimit.

Por çfarë ndodh me pasuritë e konfiskuara nga shteti?

Pasuritë e konfiskuara prej grupeve kriminale mund të shiten dhe vlera e tyre të kalojë në buxhetin e shtetit. Gjithashtu, ato mund të kalojnë në pronësi të institucioneve qendrore dhe vendore, të kalojnë në interes të viktimave të krimit ose të ripërdoren në dobi të shoqërisë. Ripërdorimi i drejtpërdrejtë social i pasurive nën autoritetet kompetente i vendos asetet e konfiskuara në shërbim të publikut, si për shembull, duke e shndërruar një shtëpi që ka qenë pronë e një krimineli, në një kopësht për fëmijë, banesa sociale, shtëpi për të moshuarit e të tjera.

Reforma synon që deri në fund të vitit 2026, rreth 50% e numrit dhe vlerës së pasurive të konfiskuara të ripërdoren brenda 6 muajve nga konfiskimi, duke përfshirë këtu edhe ripërdorimin social të tyre.

Thuajse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një rregullore lidhur me ripërdorimin social të aseteve të konfiskuara. Krijimi i kësaj zyre do të kontribuojë në forcimin e procesit të drejtësisë penale dhe luftës kundër krimit ekonomik, por edhe në procesin e harmonizimit të kuadrit ligjor kombëtar me atë të BE-së.

Scan TV

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *