26 Shkurt, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

Smart City, qeveria i jep kompanisë arabe Presight kontratën 110 milionë euro të trafikut pa tender

Projekti për të instaluar një sistem kamerash inteligjente në të gjithë territorin e Shqipërisë si dhe një komandë qëndrore të menaxhimit të tyre do t’u kushtojë shtrenjtë qytetarëve shqiptarë.

Edhe pse qeveria nuk e bëri publike koston e marrëveshjes së firmosur mes ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha dhe ministrit të Emirateve të Bashkuara për Teknologjinë Sulltani Bin Al Jamar, Kapitali ka mësuar se taksapaguesit do të paguajnë 110 milionë euro për realizimin e projektit nga kompania arabe Presight.

I pagëzuar me emrin Smart City ky projekt përfshin 20 qytete dhe do të realizohet nga kompania arabe Presight, e cila është pjesë e grupit G42.

Në një njoftim zyrtar, kompania e teknologjisë me bazë në Abu Dhabi, tha se nisma “Smart City e mundësuar nga inteligjenca artificiale ka si synim të veçantë reduktimin e trafikut si dhe shkurtimin e kohës së reagimit ndaj urgjencave. Marrëveshja parashikon instalimin e një rrjeti të avancuar kamerash dhe radarësh në qytetet kryesore të Shqipërisë, që premton të rrisë sigurinë publike dhe të transformojë menaxhimin e trafikut përmes teknologjive bashkohore, përfshirë inteligjencën artificiale.

Projekti përfshin një “qytet të zgjuar” dhe platformë të menaxhimit të trafikut të fuqizuar nga Inteligjenca Artificiale, që mundëson monitorimin e operacioneve urbane në kohë reale, thjeshtimin e shërbimeve publike thelbësore, reduktimin e bllokimeve të trafikut dhe rritjen e sigurisë rrugore.

Ai përfshin gjithashtu një qendër komandimi dhe kontrolli të avancuar që do të përdorë teknologjinë e fundit për të centralizuar vendimmarrjen për operacionet e shërbimit publik, reagimin ndaj emergjencave dhe menaxhimin e infrastrukturës.

“Shqipëria po hyn në një nga transformimet më ambicioze të kombeve inteligjente në Evropë, duke përdorur inteligjencën artificiale për të nxitur rritjen ekonomike, efikasitetin dhe mirëqenien e komunitetit. Presight është i nderuar të mbështesë këtë vizion, duke sjellë ekspertizën tonë të provuar në menaxhimin urban të drejtuar nga AI për të fuqizuar të ardhmen dixhitale të Shqipërisë”, tha Thomas Pramotedham, CEO i Presight.

Marrëveshja
Publikisht marrëveshja u nënshkrua të dielën në Tiranë në prani të presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed Bin Zayed Al Nahyan dhe kryeministrit Edi Rama. Por shumë detaje të saj mbeten sekrete. Ajo që dihet është se projekti do të realizohet nga kompania arabe Presight, por është e paqartë se me çfarë procedure do të lidhet kontrata dhe cili do të jetë burimi i financimit për koston e majme prej 110 milionë eurosh.

Një burim nga qeveria i tha Kapitalit se fondet do të sigurohen përmes një borxhi të marrë në treg.

Kompanitë nga Emiratet e Bashkuara Arabe nuk u nënshtrohen procedurave të tenderimit publik në investimet jashtë vendit të tyre, por kontraktohen përmes marrëveshjeve direkte. Pesë vjet më parë, qeveria kaloi në Parlament një ligj të posaçëm, që i përjashton kompanitë arabe procedurat e konkurrimit publik. Ky ligj i hapi rrugë edhe projektit të famshëm të portit turistik në Durrës, i cili po ndërtohet nga biznesmeni i Emirateve, Muhamed Alabbar, pa konkurrim por përmes përzgjedhjes direkte.

Presight ka marrë pak kohë më parë një projekt të ngjashëm në Kazakistan, ku përmes një marrëveshje gjashtëvjeçare prej 190 milionë dollarësh do të zbatojë sistemin Smart City të fuqizuar nga Inteligjenca Artificiale që synon të përmirësojë menaxhimin e trafikut në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *