Klodian Tomorri
Në tejkalim flagrant të kompetencave të saj, Gjykata Kushtetuese futi hundët aty ku nuk i takonte, kur rrëzoi ligjin për taksimin e profesioneve të lira. Botërisht, qeverisja dhe reformat fiskale janë kompetencë ekskluzive e maxhorancës parlamentare. Dhe i vetmi autoritet që ka tagrin t’i gjykojë ato është sovrani, përmes votës së tij.
Megjithatë sikur të mos mjaftonte një vendim i gabuar, gjykata shtoi edhe një tjetër, akoma më të rëndë duke prodhuar përmes tyre një puç Kushtetues.
Për shkak se para rrëzimit të ligjit nga Gjykata, një pjesë e mirë e bizneseve të profesioneve të lira e kishin paguar këstin e parë të tatimit, qeveria i është drejtuar zyrtarisht Gjykatës Kushtetuese të shprehet se çfarë duhet të bëjë për këtë çështje. Përmes një përgjigje absurde, Gjykata Kushtetuese është përgjigjur se vendimi i saj nuk i prek ata që e kanë paguar këstin. Pra kush e hëngri, e hëngri.
Me pak fjalë, Gjykata Kushtetuese ka zyrtarizuar me dy vendime të saj, njëri më i paligjshëm se tjetri, pabarazinë më të madhe që shteti në Shqipëri u ka imponuar ndonjëherë qytetarëve të vet. Dhe kjo çmenduri ka mundësi që të mos jetë edhe aq naive.
Në korridoret e ministrisë së Finacave, flitej se arsyeja e rrëzimit të taksës së profesioneve të lira, ishin interesat personalë të gjyqtarëve të Kushtetuese. Motrat, gratë, kunatat dhe farefisi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese janë shumica me biznese të profesioneve të lira. Disa me studio ligjore, të tjerë me studio konsulencë e kështu me radhë.
Për njerëzit me pushtet shpesh këto biznese janë instrument shumë efiçent në larjen e parave dhe legalizimin e të ardhurave që burojnë nga korrupsioni. Tani SPAK duhet të kryejë një verifikim shumë të thjeshtë. Sa prej njerëzve të afërt me anëtarët e Kushtetueses e kanë paguar këstin e parë të tatimit dhe si qëndron ky tregues në raport me mesataren.
Nëse njerëzit e afërm të gjyqtarëve Kushtetues nuk e kanë paguar këstin, kjo do të ishte një indicie e fortë për korrupsion. Sepse përdorimi i informacionit të brendshëm që buron nga detyra publike për qëllime personale është vjedhje.
Dyshimet që kjo ka ndodhur përforocohen nga vendimi i dytë i Kushtetueses për këtë çështje. Nëse njerëzit e tyre nuk kanë paguar këstin, anëtarët e Gjykatës nuk kanë nxitje që të shfuqizojnë këstet e paguara. Prandaj e gjitha kjo meriton të hetohet nga SPAK.
Por tani situata është kjo. Të dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese për tatimin e profesioneve të lira kanë krijuar praktikisht një puç antikushtetues, ku brenda të njëjtit sektor disa biznese e kanë paguar tatimin, ndërsa të tjerat jo. Dhe kjo nuk është Gjykatë Kushtetuese, por Gjykatë Puçistësh.