27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

SPAK i jep tender 450 mijë euro kompanisë Albascan, që duhet ta ketë nën hetim për skandalin e laboratorëve Smart

Prokuroria e Posaçme ka shpallur kompaninë Albascan si fituese në tenderin 480 mijë euro për blerjen e skanerit për automjete dhe bollard automatik. Sipas dokumentave të bëra publike Agjencinë e Prokurimeve, në këtë tender janë paraqitur dy oferta. E para ishte ajo e kompanisë ALComm Solutions, e cila e ofroi skanerin me çmimin 340 mijë euro. Ndërsa Albasan ofroi çmimin 450 mijë euro.

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në SPAK e skualifikoi ofertën e ulët me argumentin se ajo ALComm Solutions nuk përmbushte kapacitetin e kërkuar ekonomik dhe financiar duke shpall fituese Albascan me ofertë 110 mijë euro më të lartë.

Por diferencat në çmim nuk janë çudia e vetme e tenderit. Albascan është një kompani e përfshirë në një skandal të madh të dyshuar korruptiv. Bëhet fjalë për tenderin 17 milionë euro të AKSHI-t për laboratorët Smart në 200 shkolla të vendit. (Lexo: Erë e rëndë korrupsioni në tenderin e shkollave). 

Tenderi me çmime të fryra deri në trefish mbi koston reale u fitua pikërisht nga kompania Albascan. Kapitali arriti të gjurmojë se kompjuterat që Albascan përdori për laboratorët e shkollave u shitën në tender me çmim 4 herë më të lartë se çmimi i zhdoganimit në doganë. Madje për të zbutur këto diferenca ato ndërruan tre herë duar brenda vendit.

Laptopët u importuan nga Infosoft. Më pas iu shitën kompanisë Advanced Business Solutions dhe në dorën e tretë u blenë nga Albascan, për të rritur fiktivisht çmimin. Minimalisht, Albascan dhe Advanced Business Solutions duhet të jenë subjekte nën hetim për tenderin korruptiv.

Përtej kësaj Albascan është një rast i dyshmitë i lulëzimit të biznesit. Në vitin 2017, kompania kishte një xhiro totale prej vetëm 50 mijë eurosh për të gjithë vitin. Ndërsa vitin e kaluar xhiro totale e saj kërceu mbi 13 milionë euro. Mjafton vetëm kaq për të ngritur pyetjen, kujt po jap tenderat SPAK?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *