Më 21 gusht 2022, e gjithë vëmendja do të shkonte në qytetin e Gramshit të Shqipërisë, ku rusët Svetlana Timofeeva dhe Mikail Zorin si dhe ukrainasi Fedir Alpatov do të përplaseshin me ushtarët shqiptarë.
Prokuroria shqiptare i akuzoi për spiunazh dhe pretendoi se treshja kishte ardhur në Shqipëri për të mbledhur informacione ushtarake dhe strategjike të sigurisë kombëtare, ndërsa një vit pas ngjarjes, Timofeeva dhe Alpatov do të dilnin nga burgu për t’u ndjekur në gjendje të lirë, ndërsa 23-vjeçari Mikali Zorin vijon ende masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Në një intervistë për Euroneës Albania, Svetlana Timofeeva thotë se prej një viti jeton në Shqipëri pa asnjë lloj dokumenti dhe për këtë fakt veprimet e saj janë shumë të kufizuara.
Ajo thotë se ka kërkuar leje pune, e cila nuk është miratuar nga gjykata.
“Unë jetoj në Shqipëri pa dokumente, duhet të shkoj në komisariat një herë në muaj, t’i them që jam akoma këtu dhe po pres. Kërkova leje për të punuar përmes gjykatës, për të marrë dokumentet, thjesht për të bërë diçka zyrtarisht në Shqipëri, por gjykata nuk më dha leje. Unë po përdor kursimet e mia, por ato nuk janë të pakufizuara. Unë nuk mund të vazhdoj kështu. Kam kërkuar të punoj në turizëm, të promovoj Shqipërinë, të jem guidë, të bëj diçka këtu, por askush nuk më lejon.” – tha Timofeeva.
Lana i thotë gazetarit Xhensil Shkëmbi se jeta në Shqipëri është e mërzitshme për të edhe pse nuk ka hequr dorë nga hobi i saj, vizita në vendet e braktisura dhe eksplorimi i natyrës.
“Është pak e mërzitshme sepse është një vend i vogël, veçanërisht kur je i papunë. Kam vizituar pothuajse çdo cep të Shqipërisë. Kam vizituar gjithçka, vende të braktisura, kam qenë në ishuj, parqe, pothuajse kudo.” – tha Svetlana.
Lana Sator, siç e ka emrin blogu i saj, ka një kërkesë për autoritetet shqiptare.
“Dua që ata të dëgjojnë nga unë që dua të filloj punë, dua që të më kushtojnë vëmendje, të shohin që unë kam mundësinë të jetoj këtu dhe të promovoj turizmin, dikush duhet të jetë përgjegjës për kërkesën time. Unë jetoj pa dokumente pas një viti sapo kam dalë nga burgu, nuk kam sigurim, nuk mund të përdor bankën, nuk mund të marr as remitanca me ëestern Union. Por një ditë mund të mbarojnë paratë, çfarë do të bëj?” – tha ajo më tej.
Euronews Albania ka kontaktuar me prokurorin e çështjes Kreshnik Ajazi, i cili deklaroi se shtetases ruse i sekuestrohen dokumentet për masën e sigurisë “ndalim jashtë vendit”, por Svetlana Timofeeva i është dorëzuar një dokument që mundëson veprimtarinë e saj në shtetin shqiptar në çdo vend. institucioni.
Euronews