28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

“Standard i dyfishtë”/ Kulla 41 kate tek “Kompleksi Dajti” në tejkalim të planit vendor

Një kullë 41 kate do të ndërtohet në rrugën Muhamet Gjollesha, me sipërfaqe mbi tokë prej 55,000 m2 dhe lartësi 140 m.

Projekti “Hora Vertikale” është miratuar në tetor të 2023, së bashku me 11 kulla të tjera që do t’i shtohen qytetit në zona të ndryshme.

Zona ku do të ndërtohet kjo kullë gjendet pranë Universitetit të Sporteve dhe një ndër fushave të fundit sportive të mbetura në kryeqytet. Sipas renderit kulla do të ndërtohet mbi një fushë që ndodhet në zonë.

Citizens Channel ka raportuar në Janar të 2018, se Plani i Detajuar Vendor (PDV) i hapte rrugë ndërtimit mbi fushat sportive të kompleksit Dajti.

Bashkia Tiranë përmes një vendimi të datës 28 Dhjetor, miratoi PDV-në, ku është ndryshuar përdorimi i truallit në zonën e fushave të futbollit të njohur si “Kompleksi Dajti” si truall për ndërtim. Ky vendim i Bashkisë i ndryshoi  përdorimin fushave sportive, duke i hapur rrugë ndërtimeve në atë zonë.

“Standard i dyfishtë i përdorimit të Planit të Përgjithshëm Vendor, kundër interesit publik”, e quan arkitektja Doriana Musai miratimin e lejes së ndërtimit për kullën 41 katëshe në këtë zonë.

Ajo shprehet se ky është një model i gabuar zhvillim i cili po bëhet në kundërshtim me PPV-në që vet institucionet kanë miratuar.

“Kur PPV-ja thotë ndalohet ndërtimi mbi 9 kate dhe aty mbin një kullë 41 katëshe kjo është shkelje, por institucionet e lexojnë dhe i referohen PPV-së vetëm kur kanë interesa, si në rastin e 5 Majit”, shprehet Musai.

Sa i përket modelit të zhvillimit të kullave ajo sqaron se është një model që nuk është parë në vende të tjera të zhvilluara që kanë një praktikë të mirë.

“Kjo pasi zakonisht ndërtesa të tilla të larta ndërtohet në një lagje të dedikuar, zakonisht jashtë qytetit dhe jo të shpërndara si kërpudha sikurse po ndodh në Tiranë”, thotë Musai duke shtuar se kjo mënyrë është në kundërshtim më interesin publik.

Ndërtimi i kullës në zonën e 21, ku ndodhet universitete, konviktet e studentëve, ka pallate të vjetra, është ndërhyrje që nuk i shërben qytetarëve të zonës.

“Njëri aspekt është dhe ndërtimi në një nga fushat e fundit sportive që kanë mbetur, pra vazhdon zhdukja, zëvendësimi i hapësirës rekreative dhe sportive që shfrytëzohet nga komuniteti”, shprehet Musai.

Sa i përket shkeljes edhe në këtë rast të PPV-së, Musai shprehet se këtu mungon vullneti politik dhe ka interesa të tjera të fshehura pas moszbatimit të saj.

“Vullneti politik i vendimmarrësve për të zbatuar një dokument që është PPV-ja mungon, nga ana tjetër është arbitrariteti për të shkelur me këmbë vendime që merren në mënyrë kolegjiale dhe për të ndërhyrë në territor sipas interesave të ngushtë privat dhe jo publik”, deklaron ajo.

/Citizens Channel

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *