29 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Investigim Kryesore Lajme nga vendi

Sterilizimi, urdhri i Manohasës që dyfishoi faturën e koncesionit

Në 16 mars të vitit 2017, ish drejtori i përgjithshëm i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor, Erion Manohasa nxjerr një urdhër për drejtorinë e Shërbimit Spitalor dhe kompaninë Saniservice mbi mënyrën se si do të zbatohej kontrata e koncesionit të Sterilizimit.

Në shkresën që publikohet nga Oligarkia.al, Manohasa urdhëron tekstualisht: “Shoqëria koncesionare Saniservice do të fillojë dhënien e shërbimit të sterilizimit për paketimet me avull dhe ato me temperaturë të ulët në QSUT, si fillim vetëm në Shërbimin e Kirurgjisë Maxilofaciale, atë Vaskulare dhe në Shërbimin e Kirurgjisë Plastike.”

Ndonëse në pamje të parë kjo duket thjesht si një shkresë burokratike rutinë, në të vërtetë ky është një urdhër që ka ngarkuar një faturë financiare miliona euro në kurriz të qytetarëve shqiptarë sepse kufizoi paketimet e lira vetëm në tre reparte të kirurgjisë.

Mekanizmi

Kontrata koncesionare e sterilizimit parashikonte 5 lloj shërbimesh. Ato ishin instrumentet e sterilizuara për ndërhyrjet me kompleksitet të lartë që kishin çmimin 37.7 mijë lekë për paketim, sterilizimi për ndërhyrjet me kompleksitet të mesëm me çmim 22.3 mijë lekë dhe sterilizimi për ndërhyrjet kirurgjikale me kompleksitet të ulët, për të cilat kompania koncesionare arkëtonte çmimin 13.9 mijë lekë pa tvsh.

Veç këtyre tre klasave ishin dhe dy të tjera për ndërhyrjet fare minimale. Këto ishin paketimet me avull, për të cilat kompania arkëtonte 266 lekë dhe paketimet me temperaturë të ulët, të cilat paguheshin 1090 lekë për paketim.

Urdhri i Manohasës e kufizoi përdorimin e dy klasave të fundit vetëm në 3 reparte të QSUT-së. Rrjedhimisht të gjitha ndërhyrjet minimale kryheshin duke përdorur klasën e kompleksitetit të ulët, atë që faturohej 13.9 mijë lekë për çdo paketim, edhe pse mund të realizoheshin me paketimet e thjeshta.  

Pra në vend që të paguhej 266 lekë për paketim, paguhej 13.9 mijë lekë për paketim sepse mjekëve u ndalohej të përdornin paketimet me avull dhe ato me temeperaturë të ulët nga urdhri i Manohasës.

Numrat

Në vitin 2017, numri i ndërhyrjeve me kompleksitet të ulët, për të cilat kompanisë koncesionare i paguhej 13.9 mijë lekë pa TVSH ishte 24.5 mijë ndërhyrje. Në vitin 2018, shifra kërceu në 55.3 mijë ndërhyrje.

Të detyruar nga fakti që nuk mund të përdornin paketimet e thjeshta me avull dhe ato me temperaturë të ulët, mjekët përdornin instrumentat e kompleksit të ulët. Kompanisë koncesionare i interesonte kjo situatë sepse arkëtonte më shumë para. Ndërsa qytetarët shqiptarë, në vend të ujit paguanin shampanjë. Në vend të 266 lekëve për ndërhyrje, paguanin 13.9 mijë lekë për ndërhyrje.

Kjo ishte arsyeja se pse në vitin 2018, fatura e paguar nga buxheti për koncesionin e sterilizimit kërcëu në 1.7 miliardë lekë ose gati 16 milionë euro. Kjo marrëzi zgjati nga fillimi i vitit 2017 deri në gusht të vitit 2018, kur drejtori i ri i FSDKSH Eduart Ahmeti hoqi kufizimin dhe urdhëroi përdorimin e paketimeve të thjeshta në të gjitha repartet kirurgjikale të QSUT dhe ato të spitaleve të tjera të vendit.

Menjeherë pas urdhrit të Ahmetit, numri i ndërhyrjeve me kompleksitet të ulët nisi të zbriste me shpejtësi dhe në vitin 2019 ai ra në 25 mijë nga 55.3 mijë që kishte qenë një vit më parë. Me pak fjalë 2.14 herë më pak se në 2018-ën. Por dëmi ishte bërë sakaq dhe ishte masiv.

Milionat që u tretën

Vetëm si pasojë e ndalimit të përdorimit të paketimeve të thjeshta, qytetarët shqiptarë vlerësohet se kanë paguar të paktën 7 milionë euro padrejtësisht për kompaninë koncesionare.

Në atë kohë FSDKSH e justifikoi urdhrin me faktin se nuk mund të kontrollonte dot numrin e paketimeve të thjeshta dhe për të ndalur abuzimin me shifrat e tyre ndaloi përdorimin. Pra për të ndalur abuzimin me setet që kushtonin 266 lekë copa, Fondi ndaloi përdorimin e tyre dhe paguante setet me 13.9 mijë lekë copa. Një marrëzi dhe abuzim kolosal, i cili i shtohet listës së abuzimeve në shëndetësi.

Ndaj koncesioni i sterilizimit nuk duhet hetuar vetëm mbi mënyrën se si është bërë kontrata, por edhe se si është zbatuar ajo. Vetëm dy fakte, çmimi i energjisë që iu ngarkua shtetit dhe ai i ndalimit të paketimeve të thjeshta, i kanë kushtuar buxhetit minimalisht 12 milionë euro padrejtësisht.  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *