Më 19 prill përfundon afati për të aplikuar në një nga skemat e mbështetjes në bujqësi. Drejtori i Politikave në Ministrinë e Bujqësisë Irfan Tarelli tha se deri në mbrëmjen e 15 prillit janë regjistruar 62 mijë aplikime, pjesa më e madhe në Fier dhe Korçë.
Risi këtë vit ishte edhe mundësia e krijuar për fermerët e vegjël, të cilët mund të bëheshin pjesë e skemave të përfitimit duke aplikuar si “grup fermerësh”. Pranë ministrisë janë regjistruar deri më tani 250 kërkesa.
I ftuar në emsionin “Box to Box” Tarelli e konsideroi pjesëmarrjen pozitive teksa apeloi qytetarët që të shfrytëzojnë ditët e mbetura për të aplikuar. I pyetur nëse do të ketë shtyrje të afatit, duke qenë se koha e vënë në dispozicion është konsideruar e pamjaftueshme, drejtori i Politikave në Ministrinë e Bujqësisë tha se do të shihet ecuria në ditët në vijim.
Udhëzimi përcakton që pas përfundimit të afatit të aplikimeve nis edhe verifikimi i çdo kërkese dhe i dokumentacionit përkatës. Në rast se konstatohet mungesë dokumentacioni, qytetarët do të njoftohen pëmes llogarisë së tyre.
Vlen të theksohet, se nga momenti i njoftimit ata do të kenë 15 ditë kohë për të bërë plotësimin e dosjes. Gjithsej janë 8 kategori të cilat do të përfitojnë nga fondi 31 milionë dollarë që është vënë në dispozicion.
Scan tv