30 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Subvencionet për fermerët shndërrohen në skemë lëmoshe/ Shtohen përfituesit, por pakësohen paratë

Nga skema mbështetëse në bujqësi mesatarisht një fermer në 2024 pritet të përfitojë rreth 46 mijë lekë. Këtë vit janë shtuar përfituesit, por fondi në dispozicion është më i vogël se në vitin 2023. Për pasojë aplikimet e shtuara përgjysmojnë shumën që do të përfitojë mesatarisht një fermer.

“Sasia e parave në dispozicion të fermerëve është shumë e ulët, duke hequr naftën falas për bujqësonë pjesa tjetër është 43% më pak se shuma e dhënë në 2023. Në një nga pikat thuhet se nëse numri i aplikimeve është më i madh për një skemë atëherë bëhet një ndarje proporcionale, në këtë rast fermeri me 10 lopë do marri më pak nga cka i takon”, shprehet profesori Gjok Vuksani.

Risi në këtë vit në skemën mbështetëse të bujqësisë është dhe aplikimi në grup apo nëpërmjet shoqërive të bashkëpunimit bujqësor. Sipas Ministrisë së Bujqësisë janë 321 grupe fermerësh dhe 21 shoqëri të cilat pretendojnë të përfitojnë nga fondet në dispozicion.

“Bashkimi i fermerëve mbi bazën e këtyre grupeve bëhet pa një akt legal, bëhet me një marrëveshje të panoterizuar sipas udhëzimit. Por pyetja është a do ketë qëndrueshmëri ky grup”, shtoi profesori për A2 CNN.

Sipas Vuksanit, skema nxjerr në dukje edhe rënien e numrit të bagëtive e për rrjedhojë edhe të blegtorë. Aplikimet për subvencionet për lopët arriti në 3851, të imtat 5437.

“Një numër shumë më i vogël para 4-5 vitesh që ishte rreth 6 mijë aplikime për subvencinet. Kjo tregon që numri i fermerëve që merren me mbarështimin e lopëve dhe numri i lopëve është reduktuar.”

3.3 miliard lekë në dispozicion, thënë ndryshe sa gjysma e një vitit të kaluar, sipas ekspertëve janë një arsye e fortë se përse është e pamundur të nxitet zhvillimi i mëtejshëm bujqësor dhe blegtoral.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *