22 Shkurt, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

Subvencioni 70% për panelet e ngrohjes së ujit/ Aplikimet në platformën e posaçme online, hapen më 24 shkurt

Prej datës 24 shkurt, klientët familjarë do të mund të aplikojnë pranë Agjencisë së Eficiencës së Energjisë për të përfituar nga skema për subvencionimin në masën 70% të paneleve diellore për ngrohjen e ujit. Aplikimi do të bëhet përmes platformës së ngritur nga agjencia për këtë qëllim, e cila aksesohet duke klikuar në faqen online të këtij dikasteri.

Aktualisht, është duke u zhvilluar gara për përzgjedhjen e subjekteve që do të ofrojnë shërbimin për blerjen e pajisjeve dhe montimin e tyre, teksa kriteret dhe dokumentet që do të duhet të ngarkohen në platformë nga qytetarët nuk janë publikuar ende. Megjithatë, hapat do të jenë të ngjashëm me thirrjen e parë, që u zhvillua në vitin 2023. Referua modelit të ndjekur në atë kohë fituesit u shpallën sipas parimit “i pari që aplikon, i pari merr shërbimin”. Gjithsesi, ishin disa kritere që do të duhej të përmbusheshin për të përfituar, dhe një prej tyre ishte konsumi familjar mbi 250 kWh energji në muaj.

Sikurse në thirrjen e parë, edhe sivjet parashikohet të mbështeten 2000 klientë familjarë, të cilët do të duhet të përzgjedhin një nga subjektet që do të njoftohen nga Agjencia për Eficiencën e Energjisë për marrjen e shërbimit. Do të jenë çmimet që do ofrohen prej tyre që do pëcaktojnë koston e saktë, teksa qytetarët do të paguajnë vetëm 30% të saj.

Skema për nxitjen e përdorimit të paneleve diellore për ngrohjen e ujit nga klientët familjarë synon reduktimin e konsumit të energjisë elektrike dhe përmirësimin e furnizmit me ujë të ngrohtë sanitar, si dhe reduktimin e emetimeve të CO2. Sipas një studimi të realizuar nga Enti Rregullator i Energjisë kostoja për ngrohjen e ujit zë 19% të faturës së energjisë elektrike.

Scan tv

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *