29 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Sufiçit rekord/ Gjysmë miliardë euro flenë në arkën e qeverisë

Buxheti i shtetit regjistroi një sufiçit prej 50.5 miliardë lekësh ose mbi 500 milionë euro në periudhën janar-maj të këtij viti teksa arka e qeverisë po shpërthen nga paratë e tepërta. Statistikat fiskale të ministrisë së Financave tregojnë se Shqipëria ka tashmë një problem kronik; qeveria është e paaftë të shpenzojë.

Sipas të dhënave, rezulton se qeveria mbledh mesatarisht 100 milionë euro të ardhura në muaj më shumë nga sa shpenzon. Më konkretisht, për 5 muajt e parë të këtij viti në arkën e shtetit hyn gjithsej 2.81 miliardë euro të ardhura. Për të njëjtën periudhë qeveria shpenzoi në total 2.36 miliardë euro.

Krahasuar me planin e parashikuar të pesë mujorit , qeveria ka mbledhur në arkën e saj rreth 80 milionë euro më shumë të ardhura. Për të njëjtën periudhë ajo ka shpenzuar 160 milionë euro më pak nga sa kishte parashikuar.

Akumulimi krejtësisht i panevojshëm i fondeve të konsiderueshme në llogarinë e qeverisë në bankën qendrore, për shkak të moszbatimit të planit të shpenzimeve buxhetore nga ana e ministrive të linjës ka ngritur shumë pikëpyetje mbi cilësinë e menaxhimit të financave publike.

Problemi nuk qëndron vetëm në faktin që investimet e planifikuara nuk po kryhen, duke i hequr ekonomisë qarkullimin e një shume të majme parash, por edhe te fakti që suficiti buxhetor duket se ka një ndikim në kursin e këmbimit, duke mbajtur lekë jashtë tregut dhe duke shkaktuar forcim të lekut përballë euros.

Me shumë gjasa edhe ky vit do të regjistrojë të njëjtin fenomen të viteve të kaluara. Atë të përqëndrimit të shpenzimeve buxhetore në dy muajt e fundit të vitit. Një tjetër fenomen që përforcon dyshimet mbi menaxhimin e financave të shtetit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *