Është sulmuar me breshëri kallashnikovi godina e kompanisë “CFO Pharma” në pronësi të Nadir Çaushollit, në autostradën Tiranë-Durrës.
Siç shihet edhe nga pamjet e mëposhtme, autorët kanë zbrazur karikatoren e kallashnikovit drejt fasadës prej xhami të godinës së biznesit, ku vërehen rreth 20 shenja plumbash.
Mësohet se Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë të biznesnit që u sulmua dhe të biznesve të tjera në atë zonë, të cilat mund ta ndihmojnë për të identifikuar autorin/autorët.
Duket se autorët kanë dashur t’i përcjellin një “mesazh”, nisur nga koha kur është sulmuar biznesni dhe duke qëlluar vetëm në pjesën e fasadës. Nga të shtënat me armë zjarri nuk raportohet për të lënduar.
Deri tani mësohet se grupi hetimor nuk ka asnjë pistë, teksa Nadir Çausholli pritet të merret në pyetje nga Policia.
Edhe pse ngjarja dyshohet se ka ndodhur gjatë natës, rreth orës 02:00, Policia e Tiranës thotë se njoftimi në sallën operative ka shkuar në orën 08:10 të mëngjesit. Ky detaj ngre dyshime se ngjarja mund të jetë tentuar të fshihet nga vetë pronari i biznesit Nadir Çausholli.
“Rreth orës 08:10, në sallën operative të DVP Tiranë, ka ardhur njoftimi se në rrugën dytësore të autostradës “Durrës – Tiranë”, gjatë natës, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të fasadës së një ndërtese. Nga të shtënat janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit.” – njoftojnë blutë e kryeqytetit.
Nadir Çausholli është një personazh i njohur në botën e biznesit, por edhe në atë të kronikës së zezë.

Disa vjet më parë, kur ai drejtonte shoqërinë “Omega Pharma”, u arrestua si i përfshirë në një skemë mashtrimi me rimbursimin e medikamenteve në një vlerë mbi 2 milionë euro.
Pasi bëri disa muaj paraburgim, Nadir Çausholli u lirua nga Gjykata e Apelit të Tiranës. Ai iu rikthye biznesit farmaceutik, duke ndryshuar emrin e shoqërisë, nga “Omega” tek “CFO Pharma”.
Me lidhjet e duhura, sidomos me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, Çausholli zgjeron biznesin e tij, duke u përfshirë në fushën e shërbimit të autobusëve urbanë.
Edhe këtu nuk i shpëton kronikës së zezë. Autobusët e Çaushollit, të cilët operojnë në linjën e Unazës së mesme Tiranës, janë përfshirë shpesh në aksidente.
Njëri prej tyre ka qenë më spektakolari i ndodhur në Shqipëri, por që bëri lajm edhe në median ndërkombëtare. Mbrëmjen e 30 Prillit 2022, autobusi i Unazës, në pronësi të Çaushollit, u rrëzua në Lanë, fatmirësisht pa pasojë në jetë njerëzish.
Veliaj, për të amortizuar sa më shumë efektin dëmtues ndaj imazhit të mikut të tij, Çausholli, u shfaq në media dhe deklaroi se “autobusi do të bëhej një lloj instalacioni artistik”, ndërkohë që nuk foli për asnjë lloj përgjegjësie apo penaliteti mbi kompaninë “CFO Pharma”, e kontraktuar nga vetë kryebashkiaku për të kryer shërbimin në Tiranë.
Kjo tolerancë e Veliajt bëri që autobusët e Çaushollit të ndiheshin “mbret” në rrugët e kryeqytetit. Madje, falë këtij “mbretërimi”, një tjetër mjet i flotës së Nadirit aksidentoi rreth 10 automjete, në mes të ditës, në zonën e Shallvareve, në 27 Shkurt 2023.
Gjithashtu, me ndihmën e Edi Ramës, Nadir Çausholli është shndërruar edhe në fermer. Natyrisht, jo fermer i rangut të ulët, të cilit i duhet të punojë me parmendë. Por, një fermer i sërës së lartë, me biznes agroturizmi.
Boldnews