Të ardhurat e qeverisë në buxhet u rritën me 10.5 për qind në 5 muajt e parë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas tabelës paraprake fiskale në periudhën Janar-Maj, qeveria mblodhi 257.9 miliardë lekë në buxhet nga 233.4 miliardë që mblodhi në 5 muajt e parë të vitit të kaluar. Në raport me planin e parashikuar të periudhës, të ardhurat janë rritur me vetëm 1.8 për qind.
Sipas të dhënave të detajuara, rritja e të ardhurave është udhëhequr kryesisht nga 3 zëra; tatimi mbi fitimin, kontributet e sigurimeve dhe tatimi mbi të ardhurat personale.
Taksa e jashtëzakonshme
Në fund të vitit të kaluar, qeveria miratoi një taksë të jashtëzakonshme mbi prodhuesit e energjisë, për shkak të fitimeve rekord që këto kompani regjistruan nga kriza. Sipas ligjit, qeveria takson me 50 për qind, çdo të ardhur që prodhuesit e energjisë kanë realizuar vitin e kaluar mbi çmimin e shitjesa 8.5 lekë për kw.
Për pesë mujorin qeveria ka mbledhur 4.6 miliardë lekë nga taksa e jashtëzanokshme mbi prodhuesit e energjisë, e cila paguhet nga tre kompani; Kurum, Shtatkraft dhe Ayen Energji.
Taksat mbi pagën
Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale u rritën me 4.5 miliardë lekë krahasuar me një vit më parë. Ndërsa të ardhurat nga kontributet e sigurimeve u rritën me gati 8 miliardë lekë vit më vit.
Të dy këto zëra reflektojnë rritjen e numrit të punësuarve në ekonomi. Por mbi të gjitha rritjen e pagës mesatare dhe atë minimale e cila u rrit në 34 mijë lekë në tremujorin e tretë të vitit të kaluar nga 30 mijë lekë që ishte në tremujorin e parë. Rritja e pagave çon më shumë të ardhura nga kontributet në buxhet për shkak se sigurimet janë të lidhura direkt si me nivelin e pagës mesatare ashtu dhe me pagën minimale. Sa më shumë rriten këto të dyja, aq më shumë rritet edhe baza mbi të cilën llogariten kontributet.
TVSH në krizë
Por ndryshe nga të ardhurat që mblidhen nga taksat e punës, ato të cilat lidhen me konsumin pasqyrojnë një ecuri të dobët me rënie në terma reale. Sipas tabelës fiskale, të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në pesë muajt e parë të vitit u rritën me vetëm 886 milionë lekë ose 1.2 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. TVSH është taksa që gjurmon qarkullimin e mallrave në ekonomi, pasi ngarkohet me çmimin e shitjes së tyre.
Rritja me 1.2 për qind e të ardhurave nga TVSH, ndërkohë që inflacioni mesatar për pesë muajt e parë të vitit ishte 5.8 për qind me bazë vjetore, tregon se në terma reale të ardhurat nga tvsh kanë rënë me 4.6 për qind krahasuar me vjet. Rënia e të ardhurave nga kjo taksë dëshmon për ecuri të ndrydhur të konsumit, që është dhe faktori kryesor përcaktues në rritjen ekonomike të vendit.