Familjet dhe bizneset e kryeqytetit do të paguajnë rreth 13 milionë euro shtesë për taksën e ndërtesës këtë vit. Shifrat e programuara në buxhetin e vitit 2024 të bashkisë së Tiranës tregojnë se barra e familjeve dhe bizneseve të kryeqytetit për taksën e pasurisë do të rëndohet me 53 për qind këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar.
Më konkretisht, sipas tabelave për vitin 2023 familjet dhe subjektet tregtare në Tiranë paguan në total rreth 2.48 miliardë lekë si taksë pasurie. Për këtë vit shifra do të rritet në 3.8 miliardë lekë ose rreth 37 milionë euro.
Sipas të dhënave të detajuara, pjesa më e madhe e barrës shtesë shkon për bizneset. Fatura e bizneseve për taksën e pronës rritet me gati 11 milionë euro këtë vit krahasuar me një vit më parë, ndërsa për familjet shtesa është mbi 2 milionë euro krahasuar me 2023.
Rritja e çmimeve të referencës mbi të cilat llogaritet taksa e pasurisë hyri në fuqi në verën e vitit të kaluar. Por efektet e plota të saj për familjet dhe bizneset e kryeqytetit do të ndihen këtë vit me një faturë shtesë mbi 53 për qind më të lartë.