30 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Tallja e pushtetit/ Pasi u prishi banesat, Blerim Shera sorrollat 17 familje të Vorës

17 familje të zonës së Vorës janë në rrugë dhe pa strehim pasi bashkia që u shembi pallatet se ishin të dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019, ende nuk ka nisur për godinën e re siç premtuan, por u ka ndërprerë edhe bonusin e qirasë.

Emisioni Stop në Tv Klan udhëtoi drejt fshatit Marqinet 1 të Vorës, jo shumë larg Tiranës.

Dy pallatet ku banonin 17 familje, u dëmtuan plotësisht dhe banorët përfunduan në çadra e furgonë, derisa u trajtuan me bonus qiraje. Por dhe bonusi u ndërpre dhe prej 5 vjetësh nuk i sqarojnë se cfarë do të bëhet me ta.

Banorët tregojnë vetë problematikën lidhur me rastin.

“Kam 41 vjet që kam banuar te pallati këtu. Në momentin kur ra tërmeti, u dëmtuam, shtëpitë u bënë të pabanueshme. Jetuam në çadër, nga çadra në furgon, nga furgoni pastaj luftë për të gjetur shtëpi me qira. Kemi 1 vit e ca që nuk na japin bonus qiraje. Këtu kanë qenë 2 pallate. Jemi 17 familje që jemi në qiell të hapur”.

“Katër shtëpi kam ndërruar deri tani. Bonus mora një vit, ma ndërprenë”.

“Godinat i hoqi bashkia me premtimin se do bëjë pallat tjetër. Se kur do fillojnë nuk e dimë”.

“6-7 herë kam qenë të Bashkia e Vorës. Neve nuk po na shikojnë me sy”.

“E kemi takuar kryetarin, thotë kur të dalë fondi. Se kur do dali fondi nuk e dimë”.

“Kërkojmë të na bëjnë shtëpinë tonë, të na fusin brenda”.

Gazetarja e “Stop” i drejtohet Bashkisë Vorë për rindërtimin dhe bonusin, por bashkia është e barrikaduar për gazetarët.

Pas shumë përpjekjeve, kryetari i Bashkisë cakton një specialist që të flasë për rastin. Specialistja Besjana Subashi thotë se bashkia i ka bërë një shkresë për këtë rast Ministrisë së linjës, që në vitin 2022, por që nga ajo kohë nuk ka përgjigje. Sipas saj, nuk ka fonde dhe bonusi është ndërprerë nga Qeveria, pasi këtë vit i ka kaluar Bashkive.

“Është ndërprerë bonusi i qirasë për gjithë qytetarët sepse nuk e përballojnë dot më edhe i kalon kompetenca Bashkisë Vorë. Bashkia Vorë është në shqyrtim, por buxheti nuk është i mjaftueshëm për të përballuar gjithë nevojat për strehim të gjithë qytetarëve me bonusin e qirasë. Tani të ndjekim procedurën siç e parashikon akti normativ për t’i strehuar për të ndërtuar pallatet në Marqinet”, tha specialistja.

Por teksa Bashkia Vorës pret përgjigje nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Ministria e linjës, 17 familje qëndrojnë në rrugë dhe pa bonus qiraje

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *