Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka rishikuar këstet e tatim fitimit për 9 mijë tatimpagues sipas nenit 14 të ligjit të ri. Drejtoresha e procesit të bizneseve në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve Rozana Çelmeta, ka thënë në një intervsitë për gazetaren e SCAN tv Alida Lula, se afro 7 mijë janë persona fizikë që bëjnë pjesë në kategorinë e shërbimeve profesionale me qarkullim deri në 10 mln lekë, që në vetëdeklarimin e vitit 2023 kishin deklaruar shpenzime nën 30%. Sipas Çelmetës, panvarësisht rishikimit të kësteve që u bë për periudhën vijuese deri në fund të vitit 2024, Drejtoritë Rajonale do të vijojnë të mirëpresin dhe të trajtojnë, të gjitha ankesat që tatim-paguesit pjesë e kësaj kategorie të shërbimeve profesionale do të bëjnë pranë tyre me qëllim rishikimin me ulje të kësteve të tatimit mbi të ardhurat.
Cilat janë kategoritë e profesioneve të lira që përfitojnë zbritje 30% dhe sa është numri i përfituesve?
“Tatimpaguesit që bëjnë pjesë në kategorinë e shërbimeve profesionale që në bazë të ligjit kanë të drejtën për të zgjedhur përfitimin nga njohja e shepenzimeve të prezumura në bazë nenit 14 të ligjit të ri të tatimit mbi të ardhurat, janë tatimapuesit që plotësojnë 2 kushtet: Duhet të jenë persona fizikë, dhe qarkullimi i tyre vjetor nuk duhet të kalojë vlerën e 10 mln lekëve. Tatimpaguesit të cilët përfituan nga kjo e drejtë me rishikimin e kësteve që drejtoria e përgjithshme e tatimeve vendosi të kryente bazuar në ankesat dhe në trajtimin e tyre si dhe informacionet që erdhën nga drejtoritë rajonale, ishte rreth 7000 tatimpagues nga totali prej 9000 persona fizikë që bëjnë pjesë në kategorinë e shërbimeve profesionale për të cilët u rishikuan këstet”- thotë Çelmeta.
Janë rreth 25 mijë biznese. Dhe nga konkludimet që ka kryer administrata tatimore, sa mendoni se do të jenë përfitues nga kategoria e profesioneve të lira?
“Me këtë veprim që ne kemi bërë me rishikimin e kësteve, jua kemi njohur apriori në bazë të vetëdeklarimit që tatimpaguesit kanë kryer në deklaratën e tyre të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin apo të tatimit mbi fitimin, pra tatimpaguesit që i përkasin kësaj kategorie, në mënyrë apriori ju kemi njohur masën e shpenzimeve 30% për ata tatimpagues që nuk e kalonin këtë masë të shpenzimeve, megjithatë, janë vetë tatimpaguesit që në përfundim të këtij viti ushtrimor, pra me deklarimin që do të bëjnë për tatimin mbi të ardhurat për vitin 2024, do të kenë të drejtën të zgjedhin nëse do të duan të vijonë me këtë skemë apo do të vijojnë me deklarimin e shpenzimeve siç janë ato reale. Janë 7 mijë tatimpagues të cilët aktulisht kanë përfituar nga kjo skemë, e kemi bërë të themi “të njëanshme” këtë zgjedhje, por në përfundim të vitit, rezultati final do të dali nga deklarata, pra nëse i plotësojnë kushtet dhe nëse duan të vijojnë me këtë skemë dhe më pas tatimpaguesit do të kenë të drejtë të zgjedhin po në deklaratë siç e parashikon ligji për 3 vite në vijim do të jenë pjesë e kësaj skeme, apo do të duan të vijojnë me njohjen e shpenzimeve reale që ata kanë kryer qofshin këto nën apo mbi 30%”.
Fillimisht numri i ankesave ka qënë i lartë, aktualisht a ka ende të interesuar që kërkojnë rishikim?
‘’Fillimisht ka patur ankesa pranë Drejtorive Rajonale të Tatimeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Nuk mund t’a vlerësojmë në mënyrë të njënashme ishte i lartë apo jo, por kishim ankesa nga tatim-paguesit, ankesa të cilat u trajtuan nga drejtoritë rajonale dhe po vijojnë të trajtohen po nga to. Panvarësisht rishikimit të kësteve që u bë për periudhën vijuese deri në fund të vitit2024, drejtoritë rajonale do të vijojnë të mirëpresin dhe të trajtojnë me një vëmendje të shtuar, të gjitha ankesat që tatim-paguesit pjesë e kësaj kategorie të shërbimeve profesionale do të bëjnë pranë tyre me qëllim rishikimin me ulje të kësteve të tatimit mbi të ardhurat’’
Nga kategoria e profesionistëve të lirë ka ende ankesa dhe nëse nuk i faktojnë dot këto shpenzime, si duhet të procedojnë?
“Mund të themi që ka një ulje drastike të numrit të kërkesave apo ankesave që paraqiten pranë drejtorive rajonale. Përsa i takon njohjes së shpenzimeve, kjo është një njohje apriori. Pra panvarësisht nëse tatimpaguesi justifikon apo jo shpenzimet në masën 30%, ligji i njeh të drejtën që kategorive të caktuara që janë pjesë e vendimit të Këshillit të Ministrave dhe që mund të përfitojnë nga kjo kategori t’ju jepet e drejta për të vijuar edhe pa justifikuar këto shpenzime”
A e zgjidh legjsilacioni këtë problematikë, pra ligji i ri?
“Kjo është një risi e ligjit të ri. Neni 14 e parashikon këtë të drejtë të tatimpaguesit për të zgjedhur njohjen e shpenzimeve në masën 30% edhe nëse nuk e kanë këtë nivel shpenzimesh dhe kjo është e zgjidhur. E vetmja gjë është që ligji i ri ka hyrë në fuqi që prej 1 Janarit 2024 dhe tatimaguesi duhet të kishte një qarkullim prej 10 mln lekësh, por panvarësisht përllogaritjes së parë që u bë gjithë skemën dhe formulën e gjenerimit të planeve të parapagimit pra kësteve, u rishikua dhe e gjitha kjo për t’u ardhur në ndihmë tatimpaguesve, të cilët për arsye të ndryshme apo dhe për efekt të vetëdeklarimit që kanë kryer për vitin e kaluar, këstet ju konsideruan të larta. Përllogaritja është bazuar në vetëdeklarimin e tatimpaguesve që kanë deklaruar në vitin 2023, përsa i takon të ardhurave dhe njohja e shpenzimeve është bërë 30%, sipas nenit 14 të ligjit për shpenzimet e prezumuara”
Nëse do të ketë ankesa, duhet që një tatimpagues të ketë dhe përshkrimin përkatës të shpenzimeve?
‘’Po, drejtoritë rajonale do të vijojnë të trajtojnë të gjitha kërkesat të cilat duhet të kenë një përshkrim të arsyes se pse ky tatimpagues kërkon që deri në fund të vitit t’i rishikohen këstet paraprake. E theksoj që ky është një parapagim dhe rezultati final do të dali nga deklarata përfundimtare, por pikësëpari, kjo mënyrë përllogarritje bazohet në deklarimin e vitit të kaluar, tatimpaguesit mbase nuk janë treguar shumë të kujdesshëm për të evidentuar të gjitha shpenzimet që ata kanë kryer gjatë vitit të shkuar dhe me këtë qëllim, për të ulur këstet, për të mos i rënduar tatimpaguesit, sepse kjo është për t’u theksuar në fakt panvarësisht se numri është i madh, efekti që ka në buxhetin e shtetit është i ulët në raport me të ardhurat që administrata tatimore mbledh dhe arkëton për buxhetin e shtetit. Kështu që është gjithë vëmendja e shtuar dhe qasja është tejet pozitive. Tatimpaguesi mjafton të bëjë një kërkesë pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore, mund ta bëjë atë edhe nëpërmjet llogarisë së tij të deklarimit elektronik dhe në këtë mënyrë, duke shprehur arsyet, p.sh, unë po rendit 2-3 arsye, por varet nga specifikat e tatimpaguesve. Po çdo subject apo tatimpagues që çon përpara aktivitetin e tij, e ka më të qartë situatën në të cilën ndodhet qoftë për faktin që p.sh nuk janë raportuar në mënyrë të saktë shpenzimet apo mund të ketë shpenzime të fshehura nuk e ka dituar që duhet të jenë në funksion të aktivitetit apo nuk jemi në të njëjtat kushte si vitin e shkuar, pasi vitin e kaluar mund të ketë patur një apo disa kontrata, të cilat nuk kanë përfunduar dhe nuk do të vijojnë gjatë 2024, apo parashikimi që kanë si për qarkullimin ashtu edhe për fitimin i cili gjatë 2024 nuk është më i njëjtë me çfarë është raportaur në vitin 2023. Këto janë arsye të cilat janë të vlefshme për t’u paraqitur pranë drejtorive rajonale me qëllim rishikimin e kësteve për periudhën në vijim”-shton Çelmeta.
Cili është një mesazh që keni për të gjithë profesionistëve të lirë?
“Një mesazh që unë mund t’u jepet tatimagusve që ofrojnë shërbime profesionale, por jo vetëm, është në radhë të parë dokumentimi i të gjitha transaksioneve që ata kryejnë si në shitje dhe në blerje, sepse është shumë e rëndësishme, sepse nga aty nis përllogarritja dhe aty nis çdo marëdhënie që kanë me administratën tatimore. Çdo transaksion në shitje dhe në blerje duhet patjetër të jetë i dokumentuar”.
Ka një kosto ky proces i rishikimit?
‘’Ka një vlerë të caktuar, por është shumë pak në raport me të gjithë nivelin e të ardhurave që mblidhen nga administrate tatimore. Atë që do ta konsideroja si pozitive, “kostoja” jo në kuptin negativ të fjalës, është marrëdhënia me tatimpaguesin, vijimi i ruajtjes së bashkëpunimit shumë të mirë me tatimpaguesin, një klime të mirë për ofrimin e tatimpaguesve për ushtrimin e aktivitetit të tyre dhe ardhja në ndihmë dhe përgjegjshmëria që duhet të kemi për çdo kërkesë që na vjen nga tatimpaguesi, gjithmonë duke konsideruar zbatimin e ligjit”- thekson Çelmeta.
Scan TV