Një ditë pasi, Kapitali denoncoi së shumë profesionistëve të lirë u janë ngarkuar detyrime tatimore më të mëdha se sa parashikon ligji, administrata tatimore pranoi problemin, por e justifikoi atë me një gabim të sistemit kompjuterik, që gjeneron vlerësimet tatimore për subjektet.
Një drejtues i administratës i tha Kapitalit se gabimi ka prekur të gjithë profesionistët e lirë, të cilët gjatë vitit të kaluar kanë ndryshuar përgjegjësinë tatimore duke kaluar nga biznes i vogël në biznes të madh.
Sipas Tatimeve, administrata po punon së bashku me kompaninë që ka ndërtuar sistemin kompjuterik për të korrigjuar defektin, ndërkohë që brenda muajit të ardhshëm, profesionistëve të lirë, që janë prekur nga ky gabim do t’u rillogaritet detyrimi tatimor.
Gabimi i sistemit
Një biznes në profesion të lirë ka plotësuar kufirin e faturimeve 8 milionë lekë deri në 31 nëntor të vitit të kaluar duke ndryshuar përgjegjësinë tatimore nga biznes i vogël në biznes të madh. Më pas gjatë muajit dhjetor ai ka arkëtuar edhe 1.5 milionë lekë të tjera.
Nga momenti i ndryshimit të përgjegjësisë tatimore, sistemi e ka klasifikuar automatikisht si biznes të ri. Për rrjedhojë tatimi i këtij biznesi është llogaritur duke shumëzuar fitimin e muajit dhjetor me 12 muajt e vitit. Pra në të gjitha këto raste, sistemi ka injoruar deklaratën tatimore të 11 muajve parardhës duke i ngarkuar biznesit në fjalë një detyrim shumë më të lartë nga sa duhet të paguajë realisht sipas ligjit.
Sipas Tatimeve, ky fenomen ka prekur me mijëra taksapagues në kategorinë e profesioneve të lira, vlerësimet e të cilëve do të korrigjohen brenda muajit të ardhshëm dhe në llogaritë e tyre do të nisen vlerësimet e reja me detyrimin korrekt që duhet të paguajnë.