Tatimet u kanë bërë thirrje bizneseve që të dorëzojnë pasqyrat financiare dhe deklaratën e Tatim Fitimit brenda afateve të përcaktuara në ligj, përndryshe do të përballen me kontrolle.
“Administrata Tatimore ka konstatuar se deri në datën 25.03.2024 pasqyrat financiare dhe deklaratat e Tatim Fitimit për vitin 2023 i kanë dorëzuar vetëm 16,636 tatimpagues nga 31,524, që kanë detyrim dorëzimin e tyre,” thuhet në njoftimin zyrtar të Tatimeve.
Sipas njoftimit, të gjitha bizneset që nuk respektojnë afatin ose që i dorëzojnë deklaratat me të dhëna të pasakta do të përballen me kontrolle.
“Administrata Tatimore i konsideron me risk të lartë tatimpaguesit që vetëm për të respektuar afatin ligjor të deklarimit, i dorëzojnë deklaratat e Tatim Fitimit dhe Pasqyrat Financiare me të dhëna jo të sakta apo fiktive, për ti korrigjuar ato me anë të ndryshimeve të rubrikave apo posteve përkatëse. Ju sjellim në vëmendje se tatimpaguesit që do të konstatohen me pasaktësi në plotësimin e deklaratës vjetore do ti nënshtrohen kontrolleve nga Administrata Tatimore, kryesisht në gjendjen e inventarit fizik të mallrave,” përfundon njoftimi.