Numri i shqiptarëve, që paguajnë tatim mbi të ardhurat personale në Itali arriti në 350 mijë vetë vitin e kaluar. Të dhënat e publikuara nga ministria italiane e Ekonomisë dhe Financave janë përpunuar nga fondazioni Leone Moressa, një institut i specializuar në kërkimet për impaktin e emigracionit në ekonominë e Italisë.
Sipas fondacionit, të lindurit në Shqipëri ishin grupi i dytë më i madh i kontributorëve të huaj në arkën publike italiane duke zënë 8.2 për qind të totalit. Në vendin e parë qëndrojnë rumunët me 650 mijë vetë.
Të dhënat e detajuara tregojnë se emigrantët e lindur jashtë Italisë deklaruan 64 miliardë euro të ardhura gjatë vitit të kaluar dhe paguan 9.6 miliardë euro tatim mbi të ardhurat. Me një përllogaritje të thjeshtë rezulton se vetëm emigrantët shqiptarë, paguan mbi 780 milionë euro tatim mbi të ardhurat në shtetin italian gjatë vitit 2022.
Ushtri kontributorësh në emigrim
Vitin e kaluar numri total i të punësuarve në ekonomië shqiptare arriti në 716 mijë vetë. Nga këta 39.2 për qind ishin të përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat personale, për shkak se janë me pagë deri në 40 mijë lekë në muaj. Rrjedhimisht numri i personave që paguajnë tatim mbi të ardhurat personale në Shqipëri është rreth 435 mijë vetë.
Me këto ritme nuk do të jetë e largët dita kur tatimpaguesit aktivë shqiptarë në Itali të barazojnë atë që kanë mbetur në Shqipëri. Nëse në llogari përfshin edhe shqiptarët që kanë emigruar dhe punojnë në shtetet e tjera, atëherë rezulton se fuqia aktive puntore e shqiparëve jashtë shtetit e ka tejkaluar me kohë numrin e shqiptarëve që punojnë në Shqipëri.