26 Qershor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Të indinjuarit e Shoqatës së Mikrofinancës si furnitorë të kasaphanës MCA

Një ditë pasi Prokuroria e Tiranës vendosi nën akuzë shoqërinë Micro Credit Albania dhe lëshoi 9 urdhër arreste për mashtrimin me mikrokreditë, reagoi edhe Shoqata Mikrofinanca Shqiptare. Përmes një deklaratë të shpërndarë për mediat, Shoqata Mikrofinanca Shqiptare u shpreh se Anëtarët e saj distancohen me forcë nga Shoqëritë e Mbledhjes së Kredive, të cilat operojnë nëpërmjet praktikave jo-ligjore, jo-etike, korruptive.

Megjithatë dokumentet autentikë faktojnë se disa prej anëtarëve të kësaj shoqate, të cilët tani distancohen me forcë nga MCA, janë furnitorët e kasaphanës së mashtrimit me kreditë e këqija. Kapitali publikon disa prej tyre.

Në datën 14 maj 2021, Iute Credit Albania, një nga anëtarët kryesore të shoqatës Mikrofinanca Shqiptare, nënshkroi një marrëveshje kuadër me kompaninë Micro Credit Albania. Përmes kësaj marrëveshje Iute i shiti MCA-së 56.2 milionë lekë kredi të këqija me një çmim total prej 7.2 milionë lekë ose sa 12.8 për qind e vlerës së kredisë. Pjesë e marrëeshjes është edhe lista me 396 qytetarët, kreditë e këqija të të cilëve u kaluan nga Iute tek MCA.

Dyshimet janë se Iute dhe Kredi kanë shitur shumë më tepër kredi të këqija tek MCA dhe Final, të cilat më pas përfundonin në vorbullën e mashtrimit, shantazhit dhe sekuestrimit të pronave. Por Kapitali nuk mund të ëërtetojë me siguri maksimale se sa është shuma totale e shitur. Megjithatë dokumentat dëshmojnë një gjë qartësisht. Disa nga të indinjuarit e shoqatës Mikrofinanca për praktikat e paligjshme të MCA dhe Final, kanë qenë praktikisht furnitorët e tyre.

Ndoshta në atë kohë Iute dhe të ngjashmit e saj nuk ishin indinjuar ende. Por kjo pak rëndësi ka. Më shumë rëndësi ka një tjetër çështje.

MCA dhe kompanitë e tjera të mbledhjes së borxheve u krijuan me justifikimin për të zbrazur bankat nga kreditë e këqija, të cilat po kërcënonin sistemin financiar të vendit. Rrugës nisën të zbraznin edhe portofolet e këqija të institucioneve të tjera të mikrokredive. Veçanërisht atyre që operojnë me një model biznesi, i cili ngarkon interesa të rënda dhe prodhon pafundësisht kredi të këqija.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *