Nga emisioni “Në Shënjestër”
Kjo është forma se si pushteti ushqen miqësinë dhe prova se si paraja publike si formë abuzimi, shërben jo vetëm si konjukturë për t’u ngritur lart, por edhe një ditë për të prekur fundin. Evis Berberi ishte përfolur shpesh për abuzime të mëdha korruptive në krye të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Por, ai nuk do ta mendonte se fundi i tij do të vinte pikërisht nga ortakëria korruptive me mikun e tij biznesmenin, Valter Begaj, edhe ky tashmë i arrestuar nga SPAK në akuzat për ‘Korrupsion’ dhe ‘Pastrim Parash’.
Ku të dy kishin menduar t’i kthenin paratë publike në një gosti për njëri-tjetrin, një shoqëri të cilën ata e kishin ndarë me njëri-tjetrin, prej me shumë se 20 vitesh, që nga koha kur të dy punonin në një kompani private. Një miqësi të cilët ata duket se e konfirmuan edhe më tej, duke e lidhur edhe më fort nëpërmjet një marrëdhënie biznesi.
Por ndërsa Valter Begaj vazhdonte punët e tij në biznes dhe Evis Berberi u katapultua në krye të detyrave publike, fillimisht si këshilltar i ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikes, Belinda Balluku, shpejt biznesi u kthye në pushtet. Dhe ku ka mirë se të kesh një mik se sa një çiflig, kur ai është në pushtet, për të bërë disa punë, që në të kundërt nuk do të ishte e mundur të bëheshin.
Ky duket të jetë edhe rasti i Berberit dhe Begajt. Ku shpejt nga këshilltar, Berberi do të gradohej në krye të Agjencisë së Eficencës së Energjisë, ku firmosi tre tendera në favor të kompanisë ‘Net Group’. Kompani që ishte në emër të askujt tjetër, përveçse mikut të tij, biznesmenit Valter Begaj.
Ortakëri që u ushqye në vazhdim edhe gjatë kohës që Evis Berberi, u emërua në krye të Autoritetit Rrugor Shqiptar, një prej institucioneve më të rëndësishme në vend, edhe për shkak të portofolit që menaxhon. Detyrë, në të cilën ai firmosi po ashtu 3 tendera ku pjesë e bashkimit të operatorëve ekonomikë që rezultuan fitues, ishte dhe kompania ‘Net Group’, e mikut të tij Valter Begaj. Por si u lidh Evis Berberi me Valter Begajn dhe cila është kompania që shërbeu më tej për të kryer korrupsion dhe për të pastruar paratë? Një kompani prestigjatore në duart e të dyve, të cilët e kishin shitur dhe rishitur disa herë, për të fshehur gjurmët e parave.
“Nga periudha Shtator 2018-Janar 2019, Evis Berberi ka qenë zotërues i shoqërisë ‘DAAM’, ku ishte aksioner i vetëm me 100 % të kapitalit. Fillimisht kjo shoqëri është regjistruar me emrin ‘B-VAAL ENGI-10’ dhe më pas i është ndryshuar emri në ‘DAAM’ shpk. Evis Berberi e bleu këtë shoqëri me emërtimin fillestar për vlerën 100 mijë lekë, nga themeluesi i saj Valter Begaj, në shtator të vitit 2018. Para se kjo shoqëri të ndërronte emërtimin në ‘DAAM’ shpk”, thuhet në dosjen hetimore.
Por ky nuk ishte marifeti i parë dhe i vetëm që zyrtari i lartë shtetëror Evis Berberi dhe biznesmeni Valter Begaj, kryen me kompaninë e lartpërmendur. Kompani e cila brenda një kohe të shkurtër, nga një shitje me vlera qesharake, u rishit në një shumë rekord. Por jo vetëm kaq, por në mënyrë absurde, pasi këtë kompani e bleu shtetasja Brunilda Buli, kjo e fundit ia shiti sërish aksionet biznesmenit Valter Begaj. Por këtë herë, me gjysmën e çmimit që e kishte blerë nga Evis Berberi.
“Më 31 janar 2019 Evis Berberi ia shiti kompaninë Brunilda Bulit në shumën e 500 mijë eurove. Ndërkohë që më datë 23 Dhjetor 2021 Brunilda Buli ia shiti po këtë kompani biznesmenit Valter Begaj, në shumën e 200 milionë lekëve të rinj”, thuhet në dosje. Por, këto nuk do të ishin zhonglimet e vetme me këtë kompani nga Evis Berberi dhe mikut i tij i vjetër, biznesmeni Valter Begaj.
Pasi këtë herë në lojë, futet edhe një tjetër shtetas, administratori i ‘DAAM’ shpk, Ervis Lami, edhe ky i ndaluar nga SPAK, në akuzën ‘Korrupsion’ dhe ‘Pastrim parash’. “Më datë 21 shkurt 2022, Valter Begaj e shiti kompaninë në favor të Ervis Lamit në shumën e 200 milionë lekëve të rinj. Por më datë 29 Mars 2022, Ervis Lami ia shiti kompaninë Valter Begaj, kundrejt shumës prej zero lekë”, thuhet në dosje.
Por për të kuptuar se si kjo skemë funksionoi, SPAK iu desh të sekuestronte, celularët e drejtorit tashmë të arrestuar të ARRSH, Evis Berberi, hetime të cilat nisën në shtator të vitit 2023, pas të dhënave që u publikuan në media. Një oficer i Byrosë Kombëtare të Hetimit, vuri më pas në lëvizje Prokurorinë. Por ajo çka e fundosi drejtorin e ARRSH, ishte zbërthimi i celularit Samsung, S 23 Ultra, në posedim të Ervis Lamit. Aty nga ku u zbuluan edhe komunikimet midis tij, Evis Berberit, Valter Begaj dhe Brunilda Bulit. Biseda të cilat nuk linin asnjë hamendësim sipas SPAK, se Evis Berberi ishte pronari de fakto i kompanisë ‘DAAM’ dhe e kontrollonte atë në mënyrë të tërthortë, teksa si zyrtar i lartë në administratë çonte para në llogaritë e tij nga taksat e qytetarëve shqiptarë.
“16 gusht 2021 Brunilda Buli i shkruan Ervis Lamit ‘Më fal që po të shkruaj në këtë orë. Doja të pyesja. Kemi hyrë në ndonjë tender në Kavajë me ‘DAAM’. Se kishte marrë babin tim në telefon njëri në Kavajë dhe i kishte thënë që ka një gabim në letra.
Ervisi i përgjigjet: Po, po. Sot kemi dorëzuar letrat. Në dijeninë time dokumentet kanë qenë në rregull.
Brunida i shkruan: Po çfarë tenderi është?
Ervis i dërgon sms: Është një objekt për realizimin e projekteve të ngrohjes me kaldajë, në 4 objekte”.
Por gjatë kësaj kohe nga zbërthimi i celularit të Ervis Lamit, dalin edhe komunikime të tij me biznesmenin Valter Begaj, biseda që janë kryer nëpërmjet aplikacionit ‘Whats app bussines’.
Biseda 24 Shkurt 2020. Valter Begaj i dërgon Ervis Lamit 4 materiale në dukje si fotografi. Valteri i shkruan Ervisit: Kontratë me ‘DAAM’ dhe aplikim për licencë.
Ervisi: Po Valo e di, e kam bërë si draft kontratë.
19 mars 2020
Valter Begaj i shkruan Ervis Lamit:
‘Viso please meqenëse more lejen dhe ndoshta shiheni nesër te zyra. Aplikimin për vete dhe ‘DAAM’ se do të futemi dhe me ‘DAAM’, te procedura e fondit, etj.
Valteri i shkruan Ervis Lamit: ‘Fola me Visin meqënëse i njeh të bëjë me shpejt për të dyja. Visin tjetër, atë të aeroplanit.
Ervis Lami i përgjigjet Valter Begaj
‘Po, po fola me të. Ja tani do ja çoj’.
Ervis Lami: Nesër po je të shohim dhe dokumentat për ‘DAAM’.
Sipas bisedave Visi tjetër, gjatë bisedës midis Valter Begaj dhe Ervis Lamit, rezulton të jetë Ervis Berberi, drejtor i Autoritetit Rrugor, ku ky i fundit kapet duket biseduar me Ervis Lamin, duke e orientuar se si të veprojë në lidhje me tenderin ku ‘DAAM’ do të marrë pjesë dhe dokumentet që duhet të plotësojë, nga vihet re se Evis Berberi do e ndihmojë në OSSHE.
“19 mars 2020. Evis Berberi i dërgon sms Ervis Lamit ‘Të duhet vërtetimi nga OSHEE? Më dërgo kontrata, libreza dhe ID të Valterit t’i bëjmë dhe vete i merr’. 22 mars 2020
Ervis Lami i dërgon sms Valter Begaj: ‘Kjo goca qenka e trembur. I kërkova dokumentet dhe s’mi ka nis ende. Se e kishte me merak. Kjo e jona e ‘DAAM’. Admini’
Valter Begaj: Kush mo? Ne sikur s’kemi të trembur.
Valter Begaj: I thuaj Visit (Evis Berberi) ta ç’trembë se e ka shoqen e Adelës (bashkëshortja e Berberit).
Ervis Lami: Tallesh, ja ta marr.
Në një tjetër bisedë Ervis Lami dhe Valter Begaj flasin për një tërheqje bankare, por që shkresën duhet ta firmosë Ministri i Jashtëm.
Ndërkohë që më tej të dy i konfirmojnë njëri-tjetrit se paratë kanë kaluar, dhe duhen tërhequr.
“23 mars 2020. Biseda mes Ervis Lamit dhe Valter Begaj.
Valter Begaj: ‘Ja bëra tekstin ministrit të Jashtëm’.
Ervis Lami: ‘Po ishalla po bëhen’.
Valter Begaj: ‘Fola ndërkohë me Visin dhe për kujtesë i nisa atij tekstin për porosinë ndërkohë’.
Ervis Lami: ‘Ok, në rregull’.
24 mars 2020
Ervis Lami bisedon me Valter Begaj.
Valteri i dërgon dy fotografi, dhe më pas i shkruan: ‘Të shkoj ti marr. Këtë shkruan ministri’.
‘Ai se rr….Më don se e bën kur e ka në dorë’.
Ervis Lami: ‘E rëndësishme është që na e mbylli’.
30 mars 2020
Valter Begaj i shkruan Ervis Lamit.
‘Hej se harrova, të ka lajmëruar ministri i jashtëm, që duhet të shkosh, me Brunën nesër për tërheqje në bankë, 30 euro (nënkupton 30 mijë).
31 mars 2020
Ervis Lami i shkruan Valter Begaj: ‘Do e mbarojë vetë ministri, kshu më tha.’
Por edhe pse Evis Berberi në dukje nuk ishte më aksioner i shoqërisë ‘DAAM’, sipas SPAK ai e kontrollonte në mënyrë indirekte dhe përfitonte para prej saj.
Pas shitjes së kuotave të kompanisë ‘DAAM’ te shtetasja Brunilda Buli, më datë 31 Janar 2019, edhe pse nuk ishte më aksioner i kësaj kompanie, Evis Berberi është konstatuar që në periudhën 7 Shkurt 2019 deri më 10 shkurt 2020, ka tërhequr para cash nga llogaria e kësaj shoqërie me vlerën 1 930 000 lekë si dhe 75 mijë e 100 euro.
Po sipas hetimeve me qëllim fshehjen e këtyre parave, Evis Berberi ka menduar që këto të ardhura të siguruara në mënyrë të paligjshme, t’i investojë në pasuri të ndryshme. Kryesisht në ato të patundshme, gjë që ka rezultuar edhe nga hetimet në vazhdim, ku ai ka blerë sipërfaqe të konsiderueshme toke në fshatin Mangull të Tiranës.
“Nga hetimet e kryera rezulton se paratë që dyshohet se ka përfituar në formën e korrupsionit, Evis Berberi mendohet se i ka investuar duke blerë pasuri të paluajtshme. Konkretisht ai ka blerë 5 sipërfaqe toke në fshatin Mangull, Tiranë”, thuhet në dosje.
Natyra korruptive e marrëdhënies midis Evis Berberit dhe mikut të tij biznesmenit Valter Begaj, i cili ka pranuar se drejtorin e ARRSH, e ka njohur që nga viti 2004-2005, ku punonin në një kompani, dhe lidhja e tyre me kompaninë ‘DAAM’, vihet re edhe në mesazhet e tjera që janë gjetur në celularin e zbërthyer të Ervis Lamit.
Ku në njëri prej këtyre mesazheve, Lami i kujton Berberit se i ka lënë diçka të vogël në makinë, si shpërblim për nderet që u ka bërë.
“19 Tetor 2020
Ervis Lami i dërgon sms Evis Berberit një fotografi në të cilën dallohet pjesa e një automjeti ‘Benz’, ngjyrë e zezë dhe i thotë: ‘Të kam lënë një palë syze peshqesh’.
Por këto nuk janë peshqeshet e vetme që Evis Berberi ka marrë nga kompania ‘DAAM’, tashmë në pronësi të Valter Begaj. Për punët që ai ka bërë si zyrtar në shërbim të tyre. Madje syzet e dhuruara duket se janë një simbolikë, krahasuar me shumën e parave që ai ka tërhequr nga kjo kompani.
“Nga bisedat midis Ervis Lamit dhe Valter Begajt rezulton se më datë 1 Prill 2020, nga llogaria bankare e shoqërisë ‘DAAM’ sh.p.K, pranë një banke, shtetasi Evis Berberi ka tërhequr në cash shumën monetare prej 30 000 euro.
17 Prill 2020
Ervis Lami dhe Valter Begaj, biseda:
Valteri: ‘Të lutem bëj faturën për ‘DAAM’. Kap ndonjë projekt’.
22 Prill 2020,
Ervis Lami i dërgon sms Valter Begaj:
‘Pass i ri email ‘Damm Tirana2019.’
Të njëjtën mesazh Ervis Lami ia nis edhe shtetasit Evis Berberi, po në këtë datë.
15 Korrik 2020
Valter Begaj i shkruan Ervisit
‘20 te Enis, 20 te Berberi ose rifuti përsëri.
Rreth 42 euro janë më duket’.
Në bisedat rezulton se Valter Begaj në fillim ka informuar shtetasin Ervis Lami se gjendeshin 42 000 euro dhe e ka udhëzuar atë që t’i japē 20 000 euro Evis Berberit.
Por, më vonë i thotë që 22 000 euro t’i fusë brenda, sepse shtetasi Evis Berberi kishte marrē 20 000 Euro nga arka e shoqërisë ‘DAAM’ sh.p.k.
Nga verifikimi i llogarisë bankare të shoqërisë ‘DAAM’ sh.p.k., në bankën ‘R….’, rezulton se më datë 16 Korrik 2020, Ervis Lami ka derdhur në llogarinë bankare të shoqërisë ‘DAAM’ sh.p.k., shumën prej 21 000 Euro.
Në një tjetër mesazh Ervis Lami i konfirmon Valterit që atë tenderin e energjisë dhe të rrugës e kishin kapur.
Ervis Lami sms Valterit
‘Nëse do kapim ndonjë gjë patjetër’
Valteri i shkruan: ‘Atë të energjisë e kemi ok. Të shohim këtë të rrugëve’.
Datë 23 Shtator 2020
Valteri i shkruan Ervisit:
‘Po, kaloja. Nga ‘DAAM’ bëj një faturë projekti për net me të njëjtën shifër’
Valteri sms Ervis Lamit.
‘Merr 23 000 të reja në bankë dhe jepja Altinit’
Sipas SPAK është e vërtetuar se Evis Berberi së fundmi në rolin e drejtuesit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, dhe më herët në atë të Drejtorit të Eficencës së Energjisë; miku i tij biznesmeni Valter Begaj dhe Ervis Lami administrator i shoqërisë ‘Daam’ sh.p.k., si dhe punonjës i shoqërisë ‘Net Group’, kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin më qëllim përfitimin e të ardhurave të paligjshme.
Konkretisht sipas SPAK, Evis Berberi, duke qenë në pozicione të tilla drejtuese, ka marrë nga shoqëria ‘Net Group’, që është përfituesja e prokurimeve publike gjatë kohës që ai ishte në krye të autoritetit kontraktor, përfitime të parregullta monetare të fituara në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet shoqërisë “DAAM’ sh.p.k., të kontrolluar prej tij.
“Marrja e këtyre përfitimeve është realizuar pas fitimit të procedurave të prokurimit nga ana e shoqërisë ‘Net Group’ sh.p.k., në zotërim të shtetasit nën hetim Valter Begaj, prokurime publike të zhvilluara me titullar të autoritetit kontraktor, shtetasin Evis Berberi. Shtetas të cilit më pas i kanë kaluar vlera monetare nëpërmjet transaksioneve në drejtim të shoqërisë në zotërim indirekt po të tij, të njohur si ‘DAAM’ sh.p.k”, thuhet në dosje.
Po sipas këtyre hetimeve del se Evis Berberi ka vazhduar ta mbajë këtë marrëdhënie klienteliste me kompaninë që kishte themeluar po vetë dhe e kishte shitur me sa duket thjesht për të hequr dyshimin e një konflikti interesi me detyrën, edhe gjatë kohës që ishte drejtues në Autoritetin Rrugor Shqiptar.
“Nga hetimi ka rezultuar se gjatë kohës kur shtetasi Evis Berberi ka qenë nën cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, Agjencia për Eficencën e Energjisë, ka zhvilluar tre procedura prokurimi në vlerën totale 137 400 000 lekë pa Tvsh, me operator fitues shoqërinë e shtetasit Valter Begaj, ‘Net Group’ sh.p.k. Kurse gjatë kohës kur shtetasi Evis Berberi ka qenë nën cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, Autoriteti Rrugor Shqiptar, janë zhvilluar tre procedura prokurimi në vlerën totale 101 811 343 lekë, pa Tvsh, me fitues bashkimin e operatorëve me pjesëmarrëse shoqërinë e shtetasit Valter Begaj ‘Net Group’ sh.p.k.,.
Po ashtu, nga hetimi ka rezultuar se shoqëria ‘Daam’ sh.p.k., në zotërim indirekt të shtetasit Evis Berberi, ka përfituar të ardhura nëpërmjet transaksioneve nga shoqëria e shtetasit Valter Begaj ‘Net Group’ sh.p.k., në vlerën 223,480,476 lekë, me tvsh”, thuhet në dosje. Një tjetër aferë e rëndë që tregon se si paratë e taksavepaguesve në vend të shkojnë për shërbime, shkojnë në xhepat e miqve të pushtetarëve dhe të atyre vetë.
Kjo jo vetëm nëpërmjet makinacioneve të tilla, por edhe një skemë korrupsioni gati të hapur, siç ishte edhe kjo ishte përfshirë kreu i ARRSH-së dhe miqtë e tij, të cilët dorovisnin njëri-tjetrin me paratë publike.