Klodian Tomorri
Përmes një njoftimi të shpërndarë një ditë më parë, i dyti në pak ditë, kompania Albanian Courier ka reaguar sërish për ngërçin e krijuar me dërgesat e pakove që blihen online. Ndonëse reagimi është e drejtë legjitime e kompanisë, aq më tepër kur bëhet fjalë për një problem që ka prekur me mijëra qytetarë, akuzat e sajuara sipas parimit “të hedhim gurin dhe të fshehim dorën” janë brum tipik sharlatanësh, të cilët paaftësinë e tyre duan ta kërkojnë tek mediat.
“Prej disa ditësh ka një fushatë absurde dezinformimi në disa portale gjobëvënëse dhe shantazhuese, kundër kompanisë private të shërbimit postar “Albanian Courier” për shkak të një situate konfuzioni që është krijuar me shpërndarjen e pakove të porositura në platformën e-commerce të Aliexpress” thuhet në reagimin e Albanian Courier.
Portali që denoncoi problemin e ngërçit të krijuar me dërgesat e pakove të blera online ishte Kapitali. Informacionet për ngërçin erdhën pas ankesave të shumë qytetarëve, të cilët prej javësh kërkonin pakot e tyre, por nuk i sqaronte njeri.
Gjithsesi, pas marrjes së këtyre informacioneve dhe pas verifikimit nga disa burime të vërtetësisë së tyre, Kapitali iu drejtua zyrtarisht kompanisë Albanian Courier për të dhënë versionin e saj në të gjitha kontaktet e mundshme publike të kompanisë.
Fillimisht kompania nuk u përgjigj. Pasi Kapitali publikoi shkrimin, administratori i saj, Geri Piranjani, reagoi dhe Kapitali e integroi menjëherë në artikull reagimin e kompanisë. Eshtë në nderin e Albanian Courier të përcaktojë nominalisht se kush janë portalet që i vunë gjobë dhe i bënë shantazh. Akuzat për gjobëvënës dhe shantazhues të lënë pa emër, me apo pa dashje e hedhin baltën më së shumti në drejtim të Kapitalit, i cili ishte portali i parë që ngriti problemin e kaosit me dërgesat e blerjeve online.
Nëse është kështu, kompania është e ftuar të na tregojë se si ja vumë gjobën dhe si e shantazhuam? Nëse janë media të tjera ato që i kanë vendosur gjobë dhe i kanë bërë shantazh, atëherë minimalisht kompania ka detyrimin t’i vërë emrin gjobëvënësit.
Akuzat tinëzare pa autorë, me qëllimin për të bërë pis çdo denoncim publik të bazuar në fakte, janë thjesht biznes sharlatanësh.