27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Editorial Kryesore Lajme nga vendi

Teatri i palaçove

Në sallën që shfaqet në foto sot ishin 97 kuvendarë, të cilët votuan për të rritur rrogat e tyre me 1400 euro shtesë në muaj. Duke filluar nga data 1 prill, secili prej tyre do të marrë 310 mijë lekë ose rreth 2800 euro rrogë në muaj. Në po të njëjtën ditë, po këta votuan që rroga e mësuesit të rritet me 25 euro në muaj, ajo e infermierit me 23 euro në muaj dhe mjekut dhe policit po ashtu.

Pra rritje 1400 euro për vete, por 56 herë më pak për mësuesit, infermierët, mjekët dhe gjithë trupën e administratës. Ky është Parlamenti i vetëm në botë që ka cipën për të mbajtur një turp të tillë përsipër. Por turpi më i madh nuk ishte se i dyfishuan rrogat vetes. Mënyra se si e bënë ishte edhe më e pështirë.

Në fillim doli kryeministri, i cili tha se do të pranonte rritjen e rrogave për deputetët vetëm në prill të vitit tjetër, kur paga mesatare të ishte rritur në 900 euro për të gjithë trupën e punonjësve publikë.

Më pas, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste formuloi një propozim sipas direktivës së kryeministrit. Pra që rritja e pagave të deputetëve të hynte në fuqi në vitin 2024. Por rrugës u kujtuan se kjo gjë do të ishtë në kundërshtim me kushtetutën, pasi nëse do u rritej të tjerëve më parë se ministrave dhe deputetëve do të shembej hierarkia institucionale e vendit. Dhe kështu Ermonela Felaj e hodhi ligjin për votim sipas variantit të miratuar në Komisionin e Ekonomisë.

Me pak fjalë një farsë e pështirë dhe një teatër bajat. Në fund të gjithë këta, pra 97 deputetë ngritën kartonin dhe i dyfishuan rrogën vetes duke filluar nga data 1 prill që kaloi. Dhe këtë e bënë vetëm për të respektuar Kushtetutën. Pra, fjala palaco ndoshta është pak.

Për hir të së vërtetës, pati vetëm 3 deputetë që votuan kundër kësaj farse. Deputetët demokrat Bujar Leskaj dhe Dashnor Sula si dhe deputetja Mesila Doda ishin tre anëtarët e vetëm të Parlamentit që refuzuan të bëheshin pjesë e farsës dhe votuan kundër ligjit. Gjithë të tjerët aktruan pa turp dhe i mbushën xhepat vetes, me rritje rroge 60 herë më të madhe se sa mjeku, mësuesi dhe polici. Në sallën e Palaçove.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *