Institucionet publike do të paguajnë një tarifë sa 2 për qind e fondit limit për çdo tender që do të kryejnë përmes Operatorit të Blerjeve të Përqëndruara. Këshilli i Ministrave ka miratuar përmes një vendimi të posaçëm tarifat që autoritetet publike do të paguajnë për shërbimin e tenderimit tek OBP.
Sipas vendimit, për tenderat me vlerë me të madhe se 200 milionë lekë ose rreth 2 milionë euro, atëherë tarifa do të jetë fikse në masën 5 milionë lekë.
“Për kryerjen e çdo shërbimi në kuadër të veprimtarive ndihmëse, autoriteti /enti kontraktor/ subjektet e tjera publike duhet të kryejnë pagesën e tarifës së kryerjes së shërbimit pranë OBP sh.a.-së, jo më vonë se 10 ditë kalendarike nga lëshimi i faturës nga ana e OBP sh.a.-së,” saktësohet në vendimin e qeverisë.
Ndërsa për institucionet publike, të cilat do të kërkojnë konsulencë gjatë zhvillimit të tenderave nga Operatori, pagesa do të jeteë 7 mijë lekë në orë.
“Nëse Operatori i Blerjeve të Përqendruara sh.a., gjatë trajtimit të kërkesës, konstaton se nuk është realizuar pagesa e shërbimit, nuk vijon me kryerjen e shërbimit, publikimit, zhvillimit të procedurës së prokurimit, nëse është rasti. Shërbimet realizohen vetëm pasi kërkuesi të ketë shlyer tërësisht vlerën e tarifës së shërbimit të kërkuar,” thuhet në vendim.
Në shtator të vitit të kaluar, qeveria miratoi një vendim, i cili detyron institucionet e shtetit, që shumë prej procedurave të prokurimit t’i kryejnë përmes Operatorit të Blerjeve të përqëndruara. Këtu bëjnë pjesë tenderat për blerjen e automjeteve, kancelarive, uniformave, sigurimet, ushqimet e kështu më radhë. Operatori i Blerjeve të Përqëndruara është organizuar si një shoqëri aksionare e zotëruar nga ministria e Ekonomisë dhe Kulturës.