27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Investigim Kryesore Lajme nga vendi

Tenderi 2.5 mln euro/ Biznesmeni i ndërtimit akuzon Erion Veliajn për korrupsion

Biznesmeni i ndërtimit Faik Curri ka akuzuar kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj për korrupsion me tenderin 2.5 milionë euro të rikualifikimit urban në një lagje të Tiranës. Bëhet fjalë për rikonstruksionin urban të bllokut që kufizohet nga Bulevardi Bajram Curri dhe ai Petro Nini Luarasi.

Përmes një kërkese zyrtare për veprim drejtuar Bashkisë së Tiranës, kompania Curri shpk akuzon kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj se në shkelje të hapur të ligjit nuk po zbaton prej gati 1 viti dy vendime të Komisionit të Prokurimit Publik, që e detyrojnë kreun e Bashkisë të shpallë fituese dhe të lidhë kontratën e kësaj procedurë prokurimi me kompaninë Curri.

“Tenderi i zhvilluar që në mars të vitit 2023 është zvarritur pafund me qëllimin për të skualifikuar ofertën tonë. Prej më shumë se 6 muajsh nuk zbatohen dy vendime të KPP, vetëm e vetëm që të realizohet qëllimi juaj për t’ia dhënë këtë kontratë një ofertuesi me vlerë 170 mijë euro më të lartë nga oferta jonë” thuhet në kërkesën për veprim që kompania i ka drejtuar zotit Veliaj.

Në shkresë kompania i bën thirrje kryebashkiakut që të ndalë veprimet, sipas saj, të paligjshme.

“Zoti Veliaj, ndaleni këtë abuzim me pushtetin duke penguar lidhjen e kësaj kontrate. Ne nuk do ta lëmë të drejtën tonë ligjore të nëpërkëmbet si dhe nuk do të lejojmë abuzimin me financat e Bashkisë për të përfituar ju personalisht apo stafi juaj i bindur,” vijon akuza e fortë e kompanisë ndaj kryebashkiakut.

Tenderi

Tenderi me vlerë 270 milionë lekë për rikualifikimin urban të bllokut që kufizohet nga Blv Bajram Curri, ai Petro Nini Luarasi dhe rrugët Taluantia, Ali Demi u shpall nga Bashkia e Tiranës në shkurt të vitit të kaluar. Në garë u paraqitën 10 oferta, ku Curri shpk ofroi çmimin 189.2 milionë lekë, por në ofertë për shkak të një lapsusi, shifra ishte kuotuar gabimisht 149 milionë lekë.  

Megjithatë Bashkia e Tiranës skualifikoi 7 ofertat më të ulëta, përfshirë atë të kompanisë Curri, duke shpallur paraprakisht fituese ofertën e kompanisë Liqeni VII me 206 milionë lekë.

Luftë në KPP

Pasi Bashkia e Tiranës sshpalli fituese të tenderit shoqërinë Liqeni VII, kompania Curri shpk e ankimoi tenderin në Komisionin e Prokurimit Publik.

Në qershor të vitit të kaluar, KPP pranoi ankesën e Currit duke e gjetur skualifikimin e saj nga bashkia si të paligjshëm. Në vendim KPP urdhëroi Bashkinë e Tiranës që të ndryshonte vlerësimin duke shpallur fituese kompaninë Curri si dhe duke korrigjuar lapsusin e ofertës në vlerën e saktë 189 milionë lekë.

Por pavarësisht vendimit të KPP, kontrata nuk u lidh. Kompania u ankua sërish në KPP duke i kërkuar Komisionit që të urdhëronte Bashkinë e Tiranës të mos zvarriste lidhjen e kontratës dhe të zbatonte vendimin e tij duke korrigjuar ofertën.

Përmes një vendimi të dytë në nëntor të vitit të kaluar, Komisioni i Prokurimit Publik i dha sërish të drejtë kompanisë duke urdhëruar zyrtarisht Bashkinë e Tiranës që të zbatonte vendimin e tij të mëparshëm të muajit qershor dhe të lidhte kontratën me kompaninë Curri.

Por këtë herë Bashkia e zbatoi pjesërisht vendimin e KPP duke e kualifikuar ofertën e kompanisë Curri, por duke lënë vlerën e pasaktë të saj, atë prej 149 milionë euro. Sipas kompanisë kjo është e qëllimshme.

“Ne po bëjmë gati dosjen e të gjithë kësaj procedure prokurimi, ku kemi dokumentuar abuzimet me detyrën nga stafi juaj dhe ju personalisht dhe do t’i drejtohemi SPAK,” e përfundon kompania shkresën drejtuar kryebashkiakut Veliaj.  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *