Klodian Tomorri
Në 20 dhjetor të vitit të kaluar, pra vetëm 4 muaj më parë, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit hapi një tender me vlerë 632 milionë lekë ose 5.5 milionë për të kontraktuar shërbimin e inernetit dhe lidhjen në rrjetin e brendshëm qeveritar të intranetit për 3 institucione publike.
Sipas dokumentave të tenderit, bëhej fjalë për Kadastrën, Tatimet dhe ISSH-në me të gjitha drejtoritë e tyre rajonale nëpër rrethe. Tenderi parashikonte që privati do t’i lidhte këtë institucione me rrjetin e brendshëm qeveritar të intranetit duke shtruar infrastrukturën përkatëse si do të siguronte shërbim internet me afat 24 muaj për këto institucione. Por tenderi befas u anulua. AKSHI e justifikoi anulimin tek Agjencia e Prokurimit Publik me arsyen se dokumentat e tenderit përmbanin gabime dhe mangësi të rëndësishme.
Këtë të mërkurë tenderi për shërbimin e internetit dhe intranetit u hap sërish. Por fondi limit është trefishuar, nga 5.5 milionë euro që ishte në tenderin e parë në 17.2 milionë euro tani. Por çfarë ndryshoi që kostoja u rrit me 3 herë ose 12 milionë euro në vetëm 4 muaj? Oligarkia.al krahasoi fjalë për fjalë dokumentat standart (DST) për të dy tenderat, pra si të atij që u shpall në dhjetor me kosto 5.5 milionë euro dhe të tenderit të ri me kosto 17.2 milionë euro.
Në tenderin e ri, përveç Kadastrës, Tatimeve dhe ISSH me të gjitha drejtoritë e tyre rajonale është shtuar edhe shërbimi i internetit për AKSHI-n. Duke qenë se AKSHI ja u ofron shërbimin e internetit shumë institucioneve shtetërore, rrjedhimisht shtohen edhe ato. Në total bëhet fjalë për 52 institucione duke filluar nga drejtoritë e shërbimit të transportit rrugor, IKMT, Shërbimin Gjeologjik etj.
Shumë prej këtyre institucioneve janë sakaq të lidhura në rrjetin e brendshëm qeveritar të intranetit dhe nuk kanë nevojë për investime infrastrukturore. Për to do të prokurohet thjesht shërbimi i internetit. Me pak fjalë, privati që do të fitojë këtë tender do të ketë monopolin e ofrimit të internetit thuajse për të gjithë shtetin.
Lëmsh kriteresh dhe datash
Sipër tabelës ku ka paraqitur institucionet për të cilat kërkohet shërbimi, AKSHI thotë se ky planifikim është i përafërt dhe orientues për palët në proces bazuar në nevojat që atom und të kenë. Pra më shumë se sa sigurimi i një shërbimi që i nevojitet shtetit, qëllimi i kësaj procedure duket se është të prokurojë një kontratë gjigande me shumë milionë euro.
Por nuk mbaron këtu. Oligarkia.al krahasoi dokumentat e termave të referencës për të dy tenderat. Të dy dokumentat e termave te referencës janë identike në çdo gërmë për të dy tenderat. Ndryshimi i vetëm është trefishimi i kostosë së tenderit nga 5.5 milionë euro në 17.2 milionë euro me një të rënë të lapsit.
Madje aq trashë është bërë sa që në tenderin e ri është lënë e njëjta datë përfundimi si në tenderin e dhjetorit. Pra në dokumenta kërkohet shërbimi i internetit për 24 muaj dhe data e përfundimit të kontratës është lënë 31 dhjetor 2024. Kjo pasi kanë harruar të ndryshojnë datat duke lënë të njëjtat data afatesh që ishin shpallur me tenderin e dhjetorit edhe pse tani jemi 4 muaj më pas dhe 24 muaj nga tani është prill 2025.
Ky i fundit është vetëm një nga tenderat e shumtë kontrovers të AKSHI-t. Vitet e fundit ky institucion është shndërruar në gropën më të madhe financiare të shtetit shqiptar, ku prokurohen shërbime me çmime deri në disa fish më shumë se tregu, siç ishte rasti i tenderit të SMS-ve, që u blenë më gati 10 lekë copa, kur bankat i marin me vetëm 1 lekë. Madje jo vetëm kaq, por AKSHI ka hyrë edhe në biznesin e blerjes së mediave, teksa shpërndan miliarda lekë për televizionet dhe portalet në mënyrë indirekte përmes kompanive të marketingut dhe PR.