27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Tenderi korruptiv i byzylykëve, kompanitë kërkojnë 650 mijë euro në GJL

Kompanitë fituese e tenderit të byzylykëve elektronikë i janë drejtuar Gjykatës së Lartë për të detyruar Ministrinë e Drejtësisë që t’u paguajë 650 mijë euro për prishje të njëanshme të kontratës. Rekursi i kompanive Soft & Solutions, Ratech dhe Fastech është regjistruar në gjykatë në datën 10 Maj. Në objektin e tij kërkohet: “Permbushje e detyrimit te lindur nga kontrata e prokurimit nr. 8383/10 prot, dt. 21.02.2017, ne vleren 71,925,000 leke. Pagimi i kamatave ligjore ne vleren 2,101,736 leke, te perllogaritur nga dt. 13.12.2018, deri ne depozitimin e kerkese padise.”

Tenderi për blerjen e 300 byzylykëve elektronikë, që përdoren për mbikqyrjen e personave të cilëve u është kufizuar liria me vendim gjyqësor, u zhvillua nga Ministria e Drejtësisë në vitin 2016. Fituese e tenderit me vlerë 234 milionë lekë ose 2.1 milionë euro u shpall bashkimi i tre kompanive, Soft & Solutions, Ratech dhe Fastech.

Por kontrata rezultoi problematike, pasi byzylykët e dorëzuar nga kompanitë ishin difektozë dhe nuk ishin dorëzuar sipas parashikimeve të kontratës. Në vitin 2017 ministri i Drejtësisë Gazment Bardhi kallëzoi në prokurori sekretaren e përgjithshme të kësaj ministrie, Juliana Hoxha për abuzim me tenderin e byzylykëve.

Fillimisht prokuroria e pushoi çështjen, por një vendim i Gjykatës së Tiranës e detyroi organin e akuzës që të rihapte sërish hetimet për këtë çështje. Paralelisht në vitin 2020, Gjykata vendosi që tre kompanitë duhet t’i kthenin shtetit shqiptar 150 milionë lekë që kishin përfituar nga kontrata e byzylykëve.

Por beteja vazhdon. Kompanitë kanë paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë, ku kërkojnë jo vetëm të mbajnë 150 milionë lekët e marrë nga Ministria e Drejtësisë, por ta detyrojnë atë që të paguajë dhe 70 milionë lekët e mbetura pa u paguar me gjithë kamatvonesat.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *