Teksa përpara bashkisë së Tiranës po mbahej protesta e radhës e opozitës dhe shoqërisë civile, situata brenda godinës që drejtohet nga Erion Veliaj këtë të premte nuk ka qenë aspak e qetë. Dhe shkak nuk ka qenë protesta që kohët e fundit nuk ka qenë e dhunshme, por një vendim i vetë Veliajt për të larguar pothuajse të gjithë drejtorët e institucioneve që ka në varësi.
Vala e shkarkimeve ka prekur një sërë emrash që kanë mbajtur detyra të rëndësishme në bashki, por pothuajse të gjithë kanë qenë të përfolur në afera korruptive.
Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë do të drejtohet nga Elda Muçi. Kjo drejtori mbahej nga Elton Kacidhja që është nën hetim nga SPAK. Emri i tij del në dosjen e 5D si lidhje e ngushtë e dy ish-drejtorëve Redi Molla dhe Mariglen Qato. Kacidhja u pyet për më shumë se 3 orë në SPAK pasi ai del në komunikimet e aplikacionit “Whatsapp” me biznesmenin Nestor Muhametllari, pronari në letra i kompanisë “5D Konstruksion”.
Në krye të Policisë Bashkiake është emëruar Toni Beni në vend të Ermal Kapllanaj. Edhe ky ka qenë i përfolur si pjesë e skemës 5D. Ish-deputeti demokrat Belind Këlliçi e ka akuzuar publikisht se edhe ai kishte ndërtuar një skemë të ngjashme me “5D”. Këlliçi tha se Kapllanaj, i cili ndërmori aksion për të larguar shitësit ambulantë duke u sekuestruar atyre produktet, ka krijuar një firmë në emër të vjehrrit të tij, që i jepte ambientet me qira brenda lagjeve për shitësit.
Por më pas sipas Këllicit, bashkëshortja e Ermal Kapllanajt krijoi një kompani të quajtur “Freshmarket” e cila xhironte deri në 600 mijë euro në vit. Ortakë në këtë biznes janë babai i Ferdinand Marës, shok i Kapllanajt në polici dhe vjehrri i Ermal Kapllanaj. Ky i fundit është angazhuar edhe në fushatë elektorale sipas disa mesazheve të publikuara në media. Në kundërshtim me ligjin ai urdhëronte punonjësit të bënin fushatë për PS.
Në krye të Ndërmarrjes së Rrugëve dhe Ndriçimit është emëruar Piro Sinjari, një vend që deri tani mbahej nga Erindi Bejko. Edhe ky i përfolur dhe i akuzuar nga Partia Demokratike. Sipas një denoncimi të bërë në prill të këtij viti, Bejko rezulton aksioner në një call center me 33.33% të aksioneve së bashku me Xhulian Xhafën.
Ky call center që kishte zhvatur 7 milionë euro të qytetarëve gjermanë sipas një hetimi të kryer nga autoritetet e këtij vendi. Xhafa u akuzua për “Mashtrim kompjuterik” në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe SPAK kërkoi dënimin me 8 vjet e 6 muaj. SPAK i ka sekuestruar 20 milionë lekë që ishin në emër të Xhulian Xhafës ndërsa për Bejkon nuk pati asnjë akuzë.
Drejtimin e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit e ka marrë Blerta Dardha. Ky vend mbahej nga Arli Naska, një nga drejtorët më jetëgjatë të Veliajt në bashkinë e Tiranës. Ai ka mbajtur edhe postin e drejtorit të tatim-taksave dhe ra në sy pak kohë më parë kur deklaroi një pasuri mbi 1 milion euro.
Edhe gjatë mbajtjes së kësaj detyre ai u vu në shënjestër të një sërë shkrimesh në media për ndëshkime të padrejta të bizneseve. Në qershor ai gjobiti me 200 mijë lekë aktivisten Adriana Kalaja pasi gjatë një proteste e akuzoi se dëmtoi fasadën e bashkisë.
Tirana Parking do të drejtohet nga Flavio Barçi dukë zënë vendin e Erinda Finos. Edhe për këtë nuk kanë munguar akuzat për abuzime. Në kulmin e aferës “5D” në media u raportua se agjentë të BKH i kishin sekuestruar telefonin. Edhe kjo ka qenë shpesh e akuzuar në media për disa procedura tenderishën në krye të “Tirana parking”.
Kopshti Zoologjik nga Ervis Rrahmani që më parë drejtohej nga Rudina Hoxha, e vetmja për të cilën nuk ka pasur ndonjë akuzë. Të paktën deri tani.
Gjithashtu, janë ndryshuar edhe drejtorët e dy qendrave sociale, që nga sot drejtohen nga Aldo Aga dhe Gentjana Lasku. Në drejtimin e Shtëpisë Studio “Kadare-Agolli” është emëruar Anisa Ymeri, kurse drejtor i Rezidencës Studentore në Qytetin Studenti do të jetë Renato Pashollari. Për drejtuesen e mëparshme të “Qytetit Studenti ka pasur një denoncim nga të rinjtë për pagesa të shtuara gjatë qëndrimit në këtë rezidencë.
Drejtorët e bashkisë së Tiranës janë përfolur shpesh për abuzime me paratë publike. Më skandalozja ka qenë ajo që njihet se “Skema 5D” që kishte në qendër një kompani të ngritur nga disa drejtorë të këtij institucioni që merrnin për vetë tenderat e bashkisë. Në burg janë për këtë aferë ish-drejtorët Mariglen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tushe ndërsa 6 zyrtarë të tjerë janë lënë në arrest shtëpie./ LAPSI.al