5 Janar, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

Thumanë-Kashar, nga 4 janari fillon kalimi me pagesë

Nga 4 janari, në autostradën Thumanë-Kashar do të nisë aplikimi i pagesës së kalimit. Njoftimin e ka bërë shoqëria koncesionare G2 Infra.

Pagesa e kalimit në autostradën Thumanë Kashar është caktuar 2.1 euro pa TVSH për automjet, ndërsa bashkë më taksën që mbledh shteti ajo do të jetë 2.52 euro. Segmenti Thumanë-Kashar u hap për qarkullimin e automjeteve në datën 30 qershor të këtij viti dhe deri më tani, kalimi ka qenë pa pagesë.

Aksi Thumanë-Kashar ka një gjatësi prej 21 kilometrash dhe është autostrada e parë e Kategorisë A. Kjo nënkupton jo vetëm standarte europiane të ndërtimit të rrugës, por edhe një limit shpejtësie tjetër nga ai që kanë akset e tjera rrugore të vendit. Ky aks rrugor është aksi i parë ku qarkullohet me një limit shpejtësie deri në 130 kilometra në orë.

Kjo autostradë është pjesë e Korridorit Blu, një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore që lidh vendin nga veriu në jug, duke qenë pjesë e një korridori ndërkombëtar. Ky aks rrugor lehtëson të gjithë trafikun që krijohet në autostradën e veriut, apo problematikat në Aeroportin e Rinasit.

Thumanë-Kashar përmban disa vepra arti, 11 ura, 105 tombino, 6 mbikalime dhe 6 nënkalime, si dhe nyje të mëdha me dalje në aeroportin e Rinasit dhe nyjën e Kasharit ku bëhet edhe lidhja me aksin rrugor Tiranë-Durrës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *