Këshilli Kombëtar i Territorit ka zbardhur lejen e zhvillimit për ndërtimin e një kulle të re pranë Fakuletit Ekonomik, saktësisht në krah të terminalit të autobusëve, në rrugën Gramz Pashko. Sipas dokumentave të KKT, kulla do të ketë 27 kate me një sipërfaqe totale ndërtimi prej 30 mijë metrash katrorë.
Kjo zonë ngjitur me fushat e Qytetit Studenti i ka shpëtuar ndërtimeve shumë të larta deri më tani. Por me sa duket mahnia e kullave po shtrihet me shpejtësi edhe në pjesën juglindore të Tiranës.
Tirana East Tower do të ndërtohet nga kompa Geo Construction. Kjo kompani është themeluar në vitin 2011 nga Hamit Mustafa, por tashmë pronari i saj me 100 për qind të aksioneve rezulton djali i tij Dashamir Mustafa.
Leja e zhvillimit për Tirana East Tower është miratuar në në gusht të vitit të kaluar. Me një intensitet ndërtimi 12.5 dhe koeficient gjurme sa 55 për qind e truallit, Tirana East Tower është kulla e radhës që i shtohet Tiranës së ngarkuar urbane.