Drejtuesi politik i PD-së për Tiranën, Belind Këlliçi, ka reaguar në lidhje me renditjen e fundit të Tiranës si kryeqyteti me cilësinë e jetës më të dobët në Evropë, si dhe më i ndoturi.
Këlliçi thotë se kjo është arritja më e fundit e kreut të grupit të Strukturuar Kriminal të “5D”, Erion Veliaj.
Këlliçi ironizon Veliajn duke thënë se pronari faktik i inceneratorit të Tiranës do të organizojë një koncert me vlerë qindra mijëra euro për ta festuar këtë arritje madhore.
Ndër të tjera shton se mediat e inceneratorëve do t’i mbushin kronikat, faqet e para dhe emisionet e mbrëmjes me lajme madhështore nga kjo arritje e kryehajdutit të Tiranës.
“Arritja më e fundit e kreut të Grupit të Strukturuar Kriminal 5D është shpallja e Tiranës si kryeqyteti Evropian i ndotjes dhe cilësisë së ulët të jetës!
Tirana renditet e fundit (74) në Europë për kryeqytetet, sipas indeksit të Cilësisë së Jetës përpiluar nga Numbeo, duke lënë pas në listën totale me 75 qytete në Europë vetëm qytetin rus Novosibirsk. Kryeqyteti shqiptar ka marrë një vlerësim total 98.5 pikë (sa më i ulët aq më keq), duke hyrë tek qytetet ku cilësia e jetës është e ulët. Elementi më negativ që penalizon kryeqytetin shqiptar është ndotja, që konsiderohet si shumë e lartë, në vendin e dytë, duke lënë pas vetëm qytetin rus të Novosibirsk.
Çmimet e larta të pronave, në raport me të ardhurat janë një tjetër element që ul kryeqytetin në renditje. Tirana vlerësohet si e 13-a më e shtrenjta nga 72 qytete, në raportin e çmimit ndaj të ardhurave. I matur sipas fuqisë blerëse, një apartament në kryeqytet kushton më shumë se në Munih, Romë, Athinë, Londër, Vjenë, Berlin.
Me siguri pronari faktik i inceneratorit Tiranë do organizojë një koncert me vlerë qindra mijra euro, për ta festuar këtë arritje madhore. Mediat e inceneratorëve do mbushin kronikat, faqet e para dhe emisionet e mbrëmjes me lajme madhështore nga kjo arritje e kryehajdutit të Tiranës!”, shkruan Këlliçi./ CNA