Banka Qendrore Europiane pritet të rrisë sërish normën bazë të interesit të enjten, teksa çmimet po zbuten më ngadalë nga sa pritej dhe inflacioni në Eurozonë vijon të qëndrojë i lartë. Ekonomia e vendeve të Bashkimit Europian po kalon një moment të vështirë, ku nga njëra anë prodhimi është në stanjacion, ndërsa nga ana tjetër kostoja e jetesës është shtrenjtuar.
Në tre muajt e parë të këtij viti, ekonomia e Eurozonës u rrit me vetëm 0.1 për qind për shkak të ecurisë së dobët të konsumit në shumë nga vendet e bllokut, një shenjë kjo se inflacioni i lartë dhe rënia e të ardhurave reale po shtrëngojnë buxhetet e familjeve.
Ky kombinim me rritje të ulët dhe inflacion të lartë e ka vendosur BQE në një pozicion të vështirë, e cila tani nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të shkaktojë më shumë dhimbje financiare tek konsumatorët duke rritur më tej normën. FMN gjithashtu i bëri thirje Bankës Qendrore Europiane që të vijojë shtrëngimin e politikës monetare, pasi kjo është rruga e vetme për të përmbajtur inflacionin.
Një pjesë e analistëve presin që anëtarët e bordit të BQE të vendosin për një rritje me 0.5 pikë për qindje të normës bazë të interesit, por të tjerë thonë se rritja mund të jetë më e vogël, vetëm 0.25 për qind për shkak të ecurisë së dobët të aktivitetit ekonomik.
Lëvizjet e politikës monetare nga Banka Qendrore Europiane kanë një ndikim të drejtëpërdrejtë në ekonominë shqiptare. Normalisht rritja e normës bazë të euros ndikon drejtëpërdrejtë interesat e kredive që qytetarët shqiptarë kanë në këtë monedhe.
Nga ana tjetër shtrëngimi i politikës monetare në Eurozonë paralajmëron të njëjtën gjë edhe në Shqipëri. Kursi i politikës monetare në Bankën e Shqipërisë ndjek thuajse më përpikmëri atë të Bankës Qendrore Europiane. Rritja e normës bazë për euron mund të shoqërohet me të njëjtën masë edhe nga Banka e Shqipërisë, çka do të shtojë edhe më tej presionin për rritjen e normave të interesit të kredive si në euro ashtu dhe në lekë.