Ndryshime të rëndësishme në tregun e mikrfinancës. Tranzit shpk ka finalizuar marrëveshjen për blerjen e 100 për qind të aksioneve të institucionit të dytë më të madh të mikrofinancës në vend, NOA-s. Edhe pse marrëveshja nuk është bërë publike, Kapitali ka mësuar se çmimi i transaksionit ka qenë 27 milionë euro, mbi 110 për qind e vlerës kontabël.
NOA është një nga institucionet e para të mikrofinancës në vend, aksionet e së cilës deri më tani zotëroheshin nga dy shoqëri të regjistruara në Hollandë, Noa Holdings dhe Noa Cooperatief.
E themeluar në vitin 1998 nga USAID si shoqëri Kursim-Krediti, në vitin 2007 NOA u licencua nga Banka e Shqipërisë si institucion financiar jo-bankë dhe pak më vonë u shndërrua në një shoqëri aksionare.
Aktualisht NOA numëëron rreth 350 punonjës dhe është institucioni i dytë më i madh i mikrofinancës në Shqipëri pas fondit BESA.
Sipas të dhënave zyrtare nga bilanci, në fund të vitit 2023 kompania kishte një portofol kredish prej gati 96 milionë eurosh, nga të cilat 71 milionë euro ishin hua e dhënë për sipërmarrësit e vegjël, bizneset e konsoliduara apo atyre që janë në hapat e parë, përfshirë fermerëve dhe agro-përpunuesëve, ndërsa 25 milionë euro ishin hua konsumatore.
Vitin e kaluar NOA regjistroi një fitim neto pas taksave, prej 4 milionë eurosh çka shpjegon dhe shitjen e kompanisë mbi vlerën e saj tregtare.
Shitja e aksioneve të institucionit të dy më të madh të mikrofinancës në vend përbën një ndryshim të rëndësishëm në këtë treg. Kapitali ka mësuar se Tranzit dhe NOA nuk do të bashkohen në një shoqëri të vetme, por do të vazhdojnë të qëndrojnë të pavarura. Megjithatë, pavarësisht kësaj, me blerjen e NOA-s, Tranzit shndërrohet në aktorin më të rëndësishëm të mikrofinancës në Shqipëri.
Tranzit është licencuar nga Banka e Shqipërisë për të ushtruar aktivitetin si Institucion Financiar Jo Bankë në vitin 2010. Shoqëria zotërohet nga Moscopole INC. dhe dy fonde investimi të administruara nga NCH Capital, të cilët janë investitorë të njohur amerikan në rajonin e Balllkanit dhe më gjerë.
Sipas regjistrit të Qendrës Kombëtare të biznesit, aksioneri më i madh fundor i Tranzit është Andi Ballta, i cili zotëron 80 për qind të aksioneve. Ndërkohë, Tranzit zotëron dhe 100 për qind të aksioneve të Bankës Amerikane të Investimeve, e njohur si ABI Bank.
Të dhënat zyrtare tregojnë se Tranzit ka një staf prej 45 punonjësish, të cilët menaxhojnë një total asetesh në vlerë nominale prej 150 milionë euro.
Deri më tani Tranzit ka qenë i fokusuar kryesisht tek administrimi i kredive jo performuese, përmes blerjes së borxheve të këqija dhe rifinancimit të tyre. ndërkohë në aspektin e kredidhënies, sipas të dhënave zyrtare nga bilancet, në fund të vitit 2022 Tranzit kishte një portofol kredie prej 8 milionë eurosh, shumica e të cilave në segmentin e individëve.