28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Tregu i sigurimeve zgjerohet me ritme dyshifrore

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për muajin janar-maj 2023 kapën vlerën 8,96 miliardë lekë duke u rritur me 15.29% më shumë se sa e njëjta periudhë e një viti më parë. Të dhënat zyrtare nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare tregojnë se për pesë mujorin e parë të këtij viti, numri i kontratave të sigurimit të lidhura kapërceu shifrën 505 mijë, me një rritje prej 13.36% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Statistikat tregojnë se tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën rreth 92 për qind të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 7.9% dhe risigurimi 0.102%.

Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 46.50% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 53.50% të totalit të tregut.

Dëmet

Gjatë muajit janar-maj 2023, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 2,706 milionë lekë, ose 0.32% më pak se në muajin janar-maj 2022. Sipas AMF, kjo ka ardhur kryesisht për shkak të efektit të sigurimit të pronës, si pasojë e përfundimit të pagesave të dëmeve të ngjarjeve të tërmetit të vitit 2019.

Dëmet e paguara bruto në sigurimin e motorik për muajin janar-maj 2023 kapën vlerën 1,95 miliardë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 9.44% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sigal në majë, rritet Albsig

Të dyja tregjjet e sigurimeve, si ai jo jetës ashtu dhe ai i jetës, kompania me peshën më të madhe në treg mbetet Sigal. Sipas AMF, kompania pjesë “UNIQA Insurance Group” zë 43 për qind në tregun e sigurimeve të jetës, e ndjekur nga INSIG me 24 për qind dhe Albsig me 16.4 për qind.

Në tregun e sigurimeve të jo-jetës, që është dhe llokma më e madhe e tregut të sigurimeve me faturim 8.2 miliardë lekë në pesë muajt e parë, hierarkia është pak a shumë e njëjtë. Sigal zë peshën kryesore të tregut me 29 për qind, e ndjekur nga Albsig me 21.3 për qind dhe Eurosig me 12.3 për qind.

Tregu i sigurimeve është me një strukturë relativisht të ngurtë. Por vitet e fundit ky treg po shënon ndryshime për shkak të rritjes së vazhdueshme të Albsig. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, pesha e ALBSIG në treg u rrit me gati 2.5 pikë përqindje, nga 18.8 për qind në 21.3 për qind e totalit.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *