27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Tregu ka uri për të dhënë borxh/ Interesat e bonove vijojnë rënien

Interesat e bonove njëvjeccare të thesarit pësuan rënie të mëtejshme në ankandin e kësaj jave duke cekur thuajse nivelin e normës bazë të interesit. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në ankandin e fundit, interesi i bonove më afat maturimi 12 muaj zbriti në 3.28 për qind nga 3.32 që ishte një ankand më parë. Kostoja bazë e parasë, ndryshe norma bazë e interesit aktualisht është 3.25 për qind.

Marzhi mes normës bazë dhe yield-it të bonove 12-mujore ka zbritur në nivelin më të ulët historik duke shkuar thuajse drejt zeros.

Bonot e thesarit janë letra me vlerë përmes të cilave qeveria merr borxh nga tregu i brendshëm. Barazimi i interesit të tyre me atë të kostos bazë të kapitalit, që cakton Banka e Shqipërisë dëshmon se tregu i brendshëm ka likuiditet dhe uri për të dhënë borxh.

Paralelisht ai është një sinjal se agjentët ekonomikë, qofshin këta qytetarë apo institucione financiare presin që inflacioni të mbetet i ulët në horizontin përkatës kohor.

Ulja e çmimit të borxhit të qeverisë ka një ndikim direkt edhe në normat e interesit të kredive për sektorin privat, që zakonisht ndërtohen mbështetur mbi ecurinë e yield-it të bonove 12-mujore. Rënia e yield-eve në vija të përgjithshme ndikon në uljen e kostos së huamarrjeve për bizneset dhe familjet, duke krijuar premisa për rritje të mëtejshme të kreditimit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *